Biletat për huliganët përplasin edhe partitë
Udhëtimi i tifozëve maqedonas për të ndjekur ndeshjen eliminatore e vlefshme për Lojërat Olimpike mes Maqedonisë dhe Hungarisë në Geteborg (Suedi) me një kosto prej 200 mijë euro ka përplasur partitë politike shqiptare, shkruan Lajm.

Opozita shqiptare ka reaguar kundër këtij vendimi, sepse sipas tyre këto mjete janë siguruar dhe ndarë nga ana e Qeverisë së Maqedonisë dhe buxheti shtetëror.

Zijadin Sela, deputet i PDSH-së ka thënë se është skandaloze të ndahen para marramendëse për ata që fyejnë shqiptarët nëpër tribunat e stadiumeve dhe sipas tij, në një periudhë kur paralajmërohet ribalanci i buxhetit.

“Këto para ndahen për ata që mallkojnë dhe ofendojnë shqiptarët. Me këtë rast përgjegjësi ka edhe BDI si pjesë e qeverisjes. Gjithashtu ky vendim paraqet absurd kur paralajmërohet rebalanci i buxhetit dhe po ai rebalanc do të shkurtojë miliona euro investime dhe realizim të projekteve për vendbanimet shqiptare”, tha Sela.

Izet Zeqiri i RDK-së vlerëson vendimin si skandaloz dhe të papërgjegjshëm nga ana e partisë shqiptare, e cila lejon që të sigurohen mjete në një periudhë kur dëmtohen interesat e tyre përmes rebalancit të buxhetit.

"Ky akt është i papërgjegjshëm se si lejohet që Qeveria të ndajë para për tifozët maqedonas të cilët janë konflikt nxitësit e situatave të fundit si dhe ofenduesit e shqiptarëve, një praktikë e ndjekur së fundi”, thekson Izet Zeqiri.

Në anën tjetër, ka reaguar Agjencia për Rini dhe Sport e Maqedonisë, sipas së cilës paratë nuk janë ndarë nga Qeveria, por nga sponsorë privat, që kryesisht përbëjnë kompani, që kanë dhuruar mjete për shkuarjen e tifozëve. Edhe pse ARS nuk e pranon se Qeveria kanë mbështetur shkuarjen e tifozëve në Suedi, nuk tregon se cilët kompani kanë ndihmuar organizimin e tifozëve maqedonas për të ndjekur ndeshjen midis Maqedonisë dhe Hungarisë. Por nga partia e Ahmetit hodhën poshtë akuzat e partive opozitare shqiptare, duke i cilësuar ato si gënjeshtra nëpërmjet të cilave tentohet të manipulohet opinioni publik lidhur me financimin e tifozëve.

Sa për njoftim Suedia është treguar vend i ftoftë për Maqedoninë, pasi ajo ka humbur nga Hungaria me rezultat 28-26.
Shtuar më 08/04/2012, ora 10:59

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori