Punëtorët e Rijasetit, të cilët të hënën u bënë viktima të një sulmi në selinë e BFI-së, demantojnë deklaratën e Ministrisë të Punëve të
Brendshme se në Bashkësinë
Fetare Islame ka pasur një zënkë
verbale mes
Ibrahim Shabanit të shoqëruar nga tre persona dhe të punësuarve në BFI.
"Deklarojmë se ndaj nesh, ishte përgatitur një puç i organizuar, ndërsa sulmuesit rreth 50 në numër, të urdhëruar nga Afrim Tahiri,
Ibrahim Shabani dhe Skender Buzaku ushtruan dhunë të paparë ndaj të punësuarve që në atë moment ndodheshin në Kabinetin e Reisul Ulemasë, me ç’rast edhe jeta e tyre ishte në pikëpyetje. Jemi të bindur se po të ndodhte ky uzurpim në ndonjë vend tjetër, apo bashkësi tjetër
fetare, ky sulm do të cilësohej si akt terrorist. Që kur Ministria e Punëve të
Brendshme ka filluar sulmet e tilla ti emërtojë si zënka
verbale. Fatmirësisht kjo deklaratë na i pastroi të gjitha dilemat se kush qëndron pas këtij skenari të shëmtuar dhe përçarës. E vërteta shumë shpejt do të del në shesh, ndërsa opinioni do ta kuptojë fytyrën e vërtetë të Afrim Tahirit,
Ibrahim Shabanit dhe bashkëpunëtorëve të tyre", shprehen punëtorët.
Nga ana tjetër, ata u bëjnë thirrje imamëve të Shkupit dhe rrethinës që të ruajnë gjakftohtësinë dhe të mos bien pre e provokimeve të nxitura nga qarqe tashmë të njohura dhe të mos ndërmarrin veprime të pakoordinuara, sepse ndërtesa e Rijasetit është e rrethuar me elemente të rrezikshme të cilët mbrohen nga policia. /albeu.com/
Shtuar më 06/05/2015,
ora 10:47