Anëtarësimi në NATO, Suedia bën “hapin” e radhës për të bindur Turqinë

Suedia ka dërguar diplomatët e saj në Ankara për të bindur Turqinë për antarësimin në NATO.

Kjo lëvizje vjen pasi Turqia është bërë pengesë për këto aspirata të Suedisë dhe Finlandës.

Kjo gjë e detyroi Suedinë të dërgojnë diplomatë në Turqi për të tentuar negocimin e kushteve të Ankarasë.

Kjo erdhi pasi presidenti Rexhep Tajip Erdogan njoftoi se nuk i shikon pozitivisht aplikimet e vendeve nordike për në organizatën veri atlantike.

“Vendet skandinave janë bujtina për organizatat terroriste”, u shpreh pak ditë më parë Erdogan duke nënvizuar se vendi i tij ka mësuar nga gabimet e së kaluarës me pranimin e Greqisë në NATO.

Megjithatë, ka gjasa që pengesa e Ankarasë për Suedinë dhe Finlandën të hiqet. Turqia kërkon që vendet nordike të ndalojnë mbështetjen për grupet militante kurde të pranishme në territoret e tyre dhe të heqë embargon për shitjen e disa armëve.

Çdo vendim për zgjerimin e NATO-s kërkon aprovimin unanim të të gjitha 30 vendeve anëtare të aleancës dhe parlamenteve të tyre. Nëse një shtet është kundër, Suedia dhe Finlanda nuk mund të anëtarësohen në NATO.