BESA dhe Aleanca nuk do të garojnë bashkë, dështuan negociatat
Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët nuk do të garojnë bashkë në zgjedhjet lokale, por nëse paraqitet nevoja ata do të mbështesin kandidatët e njëra tjetrës.

Sipas Afrim Gashit nga Lëvizja Besa, negociata ka patur me të gjitha partitë, përveç BDI-së por nuk është arritur gjuhë e përbashkët. Megjithatë gjithçka do të zyrtarizohet pasi komisioni i Besës i angazhuar për negociata me partitë të shpalosë para kryesisë partiake të dhënat për vijimin e bisedimeve.

“E di se një tentativë serioze për koalicionim me një parti tjetër nuk ka përfunduar me sukses, edhe pse ne kemi pranuar ofertën e tyre, ata pastaj e kanë ndryshuar dhe kështu me radhë. Megjithatë jemi marrë vesh pasi janë zgjedhje lokale dhe ka edhe rreth të dytë, ka gjasa që të bashkëpunojmë edhe në rrethin e dytë, jemi marrë vesh që të ruajmë një ambient korrekt mes veti që së paku në rrethin e dytë të bashkëpunojmë dhe të fitojmë sa më shumë komuna”, deklaroi Afrim Gashi, Lëvizja Besa.

Edhe Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët nuk përjashton mundësinë e bashkëpunimit me Besën që në rrethin e parë po në degë të caktuara ku anëtarësia do të vlerësojë se ka nevojë të përkrahet ndonjë individ i caktuar. Taravari thotë se ata kanë qenë në bisedime me të gjitha partitë shqiptare përveç PDSH-së por tani për tani vetëm me Besën është zyrtare se nuk do të garojnë bashkë në rrethin e parë, përcjell SHENJA.

“Edhe me Besën ka patur dhe me të gjitha partitë tjera, përveç me partinë e Menduh Thaçit, me të tjerët me të gjithë kemi negociuar, jemi ulur kemi biseduar. Nuk ka ndonjë konkluzion. Nuk kemi thënë se do të bëhet kështu ose ashtu, lëmë hapësirë për bashkëpunime të ndryshme në nivel lokal në të gjitha komunat ku garojnë shqiptarë.

Në disa komuna mund të kemi prej rrethit të parë nëse degët merren vesh, nuk ka asnjë problem prej qendrës. Në raundin e dytë do ta përkrahim njëri tjetrin aty ku mendojmë se duhet”, tha Arben Taravari, Aleanca për Shqiptarët.

Lëvizja Besa dhe partia Aleanca për Shqiptarët kishin bisedime disa ditë, por asnjëra prej partive nuk shfaq arsyet e sakta përse nuk u arrit marrëveshje për një koalicion të mundshëm parazgjedhor. Partitë kanë edhe shumë pak ditë për të bërë publike koalicionet e tyre meqë më 9 shtator duhet të zyrtarizohen kandidaturat për zgjedhjet lokale të 15 tetorit.
Ferikan Iljazi Arifi.


Shtuar më 05/09/2017, ora 17:16
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori