Berisha takon Thaçin e Cërvenkovskin
Kryeministri Sali Berisha është takuar sot me liderin e PDSH-së Menduh Thaci. Pas takimit me Thaçin, kryeministri Berisha ka thënë se kanë pasur një "diskutim shumë të përzemërt e vëllazëror mbi bashkëpunimin e gjithanshëm midis dy vendeve, popujve e dy shoqërive të vendeve tona".

"Unë pata rastin t'i shpreh vlerësimin tim më të madh zotëri Thaçi dhe partisë që ai drejton, për kontributin e tyre thelbësor në rrjedhën dhe zhvillimet në republikën e Maqedonisë.

"Kam vlerësuar shumë marrëveshjen e firmosur para zgjedhjeve, si një dëshmi e një maturiteti të thellë demokratik, qëndrimin konstruktiv të zotit Thaçi e të partisë që ai udhëheq në mbështetje të të gjitha proceseve integruese, avokatinë që kjo parti, si parti opozitare, u bën në parlamentin e Maqedonisë dhe më gjerë në institucione të tjera lirive dhe të drejtave të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë", ka thënë Berisha.

Siç njofton Zhurnal, kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, në vijim të takimeve të zhvilluara sot në Maqedoni është takuar edhe me kryetarin e LSDM-së, Branko Cërvenkovski.

Cërvenkovski në takim vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve, duke theksuar se ekziston mundësia për forcimin e tyre të mëtejshëm. Në këtë kontekst, Cërvenkovski u shpreh se forca politike e drejtuar prej tij i konsideronte shumë të rëndësishme këto marrëdhënie.

Nga ana e tij, kryeministri Berisha e vlerësoi rolin e LSDM-së, në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Maqedonisë dhe theksoi se këto marrëdhënie janë të destinuara që të jenë shumë të mira, pavarësisht krahut politik që qeveris të dy vendet. Kryeministri Berisha u shpreh se kjo vizitë ka si qëllim, zgjerimin dhe thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve në fusha me interes të përbashkët.

Shtuar më 09/11/2011, ora 13:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori