Berisha nis takimet në Shkup
Gruevski - Berisha
Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, po qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoni. Në njoftimin e kryeministrisë shqiptare nënvizohet vetëm agjenda e takimeve, ndërsa nuk paralajmërohet firmosja e ndonjë marrëveshje ndërshtetërore.

Mediat proqeveritare maqedonase, duke u thirrur në burime pranë Qeverisë në Shkup, bëjnë të ditur se dy kryeministrat do të dakordohen për firmosjen e marrëveshjes për lëvizjen e lirë vetëm me letërnjoftime, një marrëveshje që më parë është firmosur mes Shkupit dhe Beogradit dhe që pritet të hyjë në fuqi nga fundi i vitit.

Berisha do të pritet nga homologu Nikola Gruevski me një ceremoni të organizuar zyrtare pranë Qeverisë, ndërsa më vonë pason takimi me presidentin George Ivanov, kryeparlamentarin Trajko Veljanovski si dhe takimet me krerët e partive politike - kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti, kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi, kryetarin e LSDM-së, Branko Crvenkovski etj.

Në agjendën e kryeministrit Berisha përfshihet gjithashtu një vizitë në Tetovë, ku delegacioni i lartë qeveritar do të pritet nga kryetari i komunës së Tetovës, Sadi Bexheti, dhe drejtues të tjerë lokalë.

Kryeministri do ta vizitojë Universitetin Shtetëror të Tetovës dhe Universitetin e Evropës Juglindore, ku do t’i jepet çmimi ndërkombëtar për lidership.
Shtuar më 09/11/2011, ora 09:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori