Belgjika premton ndihmë për Kumanovën
Musa Xhaferi
Ministri i pushtetit lokal i Maqedonisë, Musa Xhaferri, dhe sekretari shtetëror në MPJ, Abdylkadër Memeti, janë takuar në Bruksel me ministrin belg për zhvillimin ekonomik Olivier Shastel.

Arsyeja e takimit ka qenë premtimi i bërë nga kryeministri belg në detyrë, Yves Leterme, se Belgjika do të ndihmojë rajonet e Likovës dhe Kumanovës për zbutjen e situatës ekonomike, njofton Alsat-M.

“Kemi një premtim nga qeveria belge për investimin e rrugës Likovë-Kosovë, por Belgjika ka vështirësitë e veta sepse nuk ka ende qeveri dhe as nuk është miratuar buxheti që të na tregojnë saktësisht sa është mundësia financiare për këtë projekt”, shtoi Xhaferri.

Në bashkëpunim me zyrën e UNDP-së Shkup, qeveria synon hartimin e një studimi mbi burimet e këtyre rajoneve, për një projekt konkret për belgët. Por këta të fundit, ende pa qeveri, nuk mund të caktojnë fondet për investim në Maqedoni pa miratimin e buxhetit të vendit.

Por përveç belgëve, të zënë ngushtë nga dyndjet e azil-kërkuesve, Alsat-M pyeti ministrin se a po investon vetë qeveria në këto krahina.

“Me gjithë krizën financiare ne po përpiqemi të ndërtojmë infrastrukturën. Është në ndërtim e sipër ujësjellësi, për të gjithë fshatrat komunën e Likovës. Po shohim përmirësimin e rrugës lokale që lidh Likovën me Haraçinën, por mundësisht edhe projektet bujqësore në të ardhmen, nëse do të ketë interesim nga popullata vendore për aktivitete të bujqësisë, sektor i cili pritet të zbusë sadopak gjendjen ekonomike”, tha Xhaferri.

Belgjika vazhdon të jetë e shqetësuar nga numri i lartë i azil-kërkuesve nga Maqedonia, të cilët për shkak të arsyeve ekonomike braktisin vendin në kërkim të një jete më të mirë.
Shtuar më 29/03/2011, ora 09:16

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori