A është njësoj si të pini 1 dhe 20 cigare në ditë? Studimi i fundit habit me përgjigjen

Për ata që e kanë të vështirë ta lënë cigaren, strategjia e shkëputjes ndaj këtij vesi është lënia e menjëhershme e saj, jo reduktimi. Edhe një cigare në ditë arrin t’ju shkaktojë dëme në shëndetin tuaj.

Hulumtimet e reja të botuara në revistën mjekësore “BMJ” tregojnë se ky rrallimi i pirjes mund të mos e përmirësojë aspak shëndetin.

Në fakt, ky studim tregon se pirja e vetëm një cigareje në ditë mbart rreth 50% mundësi të shfaqjes së sëmundjeve të zemrës dhe infarkteve, njësoj si me konsumimin e 20 cigareve në ditë.

Për të hetuar efektet e pirjes së duhanit një cigare në ditë, hulumtuesit në Institutin e Kancerit të UCL në “University College London” shqyrtuan 141 studime të mëparshme që shqyrtuan rrezikun e infarktit dhe sëmundjeve të zemrës që lidhen me pirjen e duhanit një, pesë ose 20 cigare në ditë.

Rezultatet e tyre tregojnë se njerëzit që pijnë një cigare në ditë kanë një rritje prej 46 për qind të rrezikut të sëmundjeve të zemrës.

Për gratë, rezultatet ishin edhe më të habitshme, 57 për qind rrezik më të lartë të sëmundjeve të zemrës dhe një rrezik 31 për qind më të lartë të goditjes në tru në krahasim me pacientët pa duhan.