BE shpreson në një takim gjatë javës me liderët politik
Gjatë kësaj jave Brukseli zyrtar shpreson se do të mbahet një takim liderësh në Maqedoni në të cilën partitë do të ngrisin nismën për të arritur marrëveshje për organizimin e zgjedhjeve korrekte dhe demokratike.

Nga Komisioni Evropian thonë se janë në kontakt të vazhdueshëm me partitë si dhe po i ndjekin në vazhdimësi ngjarjet në Shkup. “Delegacioni i BE-së është në kontakt me partitë dhe shpresojmë se ata do të pajtohen që të takohen gjatë kësaj jave”, ka deklaruar për Agjenciën “Meta”, zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijancicc.

Nga LSDM vlersojnë se janë plotësuar kushtet për mbajtjen e takimit të liderëve të katër partive më të mëdha në Maqedoni në të cilin do të bisedohet për mbajtjen e zgjedhjeve korrekte dhe të besueshme. Ndërsa nga VMRO-DPMNE-ja presin që dikush ti fton për takim.

Lideri i PDSH-së, Menduh Thaçi thotë se takimi i liderëve nuk ka se çka të ofroj për dalje nga kriza politike dhe se një takim i tillë do të ishte jo serioz dhe nuk beson se do të mbahet.

Deputeti i BDI-së, Rafiz Aliti vlerson se takimi i liderëve duhet të mbahet sepse është në interes të qytetarëve, ndërsa për zgjedhje korrekte së pari duhet që të krijohet ambient politik.

Nga ana tjetër zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov ftoi për mbajtjen e takimit mes liderëve apo çfardoqoftë niveli që të bisedohet për kushtet për zgjedhje korrekte dhe demokratike, ndërsa lideri i partisë në pushtet, Nikolla Gruevski nga ana tjetër ka thënë se partia e tij do të merrte pjesë në takim liderësh, por paraprakisht duhet të dihet tema dhe plani për takim.

“Deri tani askush nuk ka kontaktuar për mbajtjen e takimit të liderëve. Ne gjithsesi se do të pranonim por është mirë që të ketë marrëveshje dhe përgatitje paraprake rreth temës së takimit për arsye se për qytetarët nuk është mirë që të mbahen takime liderësh pa plan dhe temë të përgatitur mirë paraprakisht, posaçërisht për faktin se çdoherë neve na akuzojnë nëse dështon takimi”, ka deklaruar lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski. Ai madje tha se për momentin nuk ka as nismë dhe as temë për mbajtjen e takimit të liderëve. /albeu.com/
Shtuar më 14/06/2016, ora 11:19
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori