BDI: Përshëndesim gatishmërinë e OSBE
Bashkimit Demokratik për Integrim dhe lideri i saj Ali Ahmeti përshëndesin gatishmërinë e OSBE-së dhe institucioneve tjera të pavarura të vendit që të monitorojnë procesin gjyqësor duke u përkujdesur që asnjë njëri i pafajshëm mos dënohet.

"Në lidhje me veprimet për ndriçimin e rastit të vrasjes së pesëfishtë, lideri Ahmeti ditë më parë në RTVM theksoi që BDI përkrah zbardhjen e krimit makabër dhe sjelljen e autorëve para drejtësisë, por njëkohësisht garantoi qytetarët që nuk do të lejojë që asnjë qytetar i pafajshëm ta pësojë ne përpjekjet për zbardhje të rastit.

Ai gjithashtu njoftoi opinionin që në pajtim të partnerëve të koalicionit, janë takuar përfaqësuesit e SHBA-ve, BE-së, NATO-s dhe OSBE-së, prej të cilëve është kërkuar që të kyçen bashkë me institucionet shtetërore dhe të pavarura të vendit në monitorimin e procesit.

Kjo përpjekje e përbashkët, sipas liderit Ahmeti, bëhet në mënyrë që të rritet besueshmëria në integritetin e procesit si pasojë e dyshimeve që u ngritën në opinion pas deklaratave të MPB-se, për të cilat kryetari tha se duhet t’i sqarohen opinionit dhe të mbahet përgjegjësi për fjalët e dhëna", thuhet në komunikatën e BDI-së.

Mes tjerash qëndron në komunikatë, Ahmeti nënvizoi që edhe përkundër faktit që mbi 20 % të posteve drejtuese në Prokurorinë publike udhëhiqen nga shqiptarët dhe mbi 13 % te posteve në Ministrinë e Brendshme udhëhiqen po ashtu nga shqiptarët si dhe që janë të kyçura edhe institucionet e pavarura si Avokati i popullit, Komiteti i Helsinkit dhe shoqëria civile, “akoma ka dyshime në opinion për këtë rast".

"Si pasojë e kësaj dhe në mënyrë që të rritet kredibiliteti mbi integritetin e procesit në zbardhjen e rastit, BDI ka bërë përpjekje që t’i përfshijë edhe miqtë tanë ndërkombëtar me të cilët kemi bashkëpunuar vite me radhe dhe me të cilët i ndajmë të arriturat e vendit si të përbashkëta", përfundon komunikata e BDI-së. /albeu.com/
Shtuar më 18/05/2012, ora 16:04

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori