Manastirliu: Vaksinimi, mënyra e vetme që studentët të futen në auditore dhe që mësimi të vijojë normalisht

Nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu u ka bërë dhe njëherë thirrje studentëve të vaksinohen në mënyrë që të kenë mundësi të vijojnë mësimin normalisht.

Manastirliu u shpreh se, duke filluar nga java tjetër do të duhet që të paraqesin kartën e vaksinimit për vijimin e procesit normal mësimor.

“Ne të gjithë duam që të mos kemi më ndërprerje të shkollave, të mos kemi më mësime që kryheshin në mënyrë të alternuar, por ajo çfarë ne duam dhe çfarë ne synojmë është që mësimi tashmë të bëhet në auditore. E vetmja mënyrë që mësimi të vijojë normalisht, të zhvillohet në auditore, sipas programeve përkatësë të çdo universiteti dhe fakulteti, është pikërisht që të vaksinohemi.

Tashmë kemi hyrë në një fazë tjetër të fushatës së vaksinimit të personave mbi 18 vjeç dhe të gjitha strukturat e shëndetësisë janë në terren. Gjatë kësaj jave ne kemi filluar bashkëpunimin me strukturat e arsimit të lartë. Ju e shihni që tashmë vetë rektorët janë të angazhuar, të gjithë stafet e tyre për të njoftuar studentët që kjo javë është javë vaksinimi. Sepse duke filluar nga java tjetër do të duhet që të paraqesin kartën e vaksinimit për vijimin e procesit normal mësimor. Vaksina është e vetmja armë që të shpëton jetën. Ashtu sikurse ekspertët thonë dhe ajo çfarë konfirmohet ditë pas dite është jo vetëm efektiviteti i vaksinës përsa i përket uljes së transmetueshmërisë por gjithashtu vaksina mbron deri në 100% format e rënda të sëmundjes dhe gjithashtu dhe fatalitetet”, tha Manastirliu./albeu.com


Shtuar 12.10.2021 13:09