BDI: Lidhja e industrisë me blegtorët dhe bujqit, një hallkë e fortë
Në vazhdën e promovimit të politikave në sferën e bujqësisë dhe informimit të bujqëve dhe blegtorëve me lehtësitë që u mundësojnë subvencionet shtetërore, një delegacion i përbërë nga Sekretari Shtetëror i Ministrisë së Bujqësisë Besir Jashari, i shoqëruar nga Ministri i Drejtësisë Adnan Jashari, Kryetari i Komunës së Vrapçishtit Bajram Kadrija dhe deputeti Talat Xhaferi sot realizuan vizita në fshatrat Toplicë dhe Negotinë të komunës së Vrapçishtit, ku u takuan me bujq dhe blegtorë të kësaj komune.

"Jemi këtu për ta stimuluar si blegtorin individual, ashtu edhe kompanitë blegtore-bujqësore. Lidhja e industrisë me blegtorët dhe bujqit është një hallkë e fortë dhe kjo do të përforcohet edhe më shumë me gjetjen e mundësive për plasmanin e produkteve bujqësore dhe blegtorale. Një nga mundësitë më reale është shfrytëzimi i subvencioneve, që për vitin e ardhshëm do të arrijnë në 37 milionë euro për vendbanimet dhe komunat shqiptare. Ne jemi këtu për të ndihmuar dhe për t’u njoftuar me politikat e reja në sferën e bujqësisë dhe blegtorisë. Rrethanat e reja mundësojnë zgjerim të kapaciteteve, prodhim të produkteve cilësore dhe shtim të vendeve të punës", tha Besir Jashari Sekretar Shtetëror i Ministrisë së Bujqësisë.

Në takim u theksua se përqëndrimi në zhvillimin e sektorit të bujqësisë dhe blegtorisë ka qenë i vazhdueshëm për BDI-në sepse janë dy shtylla të rëndësishme për mijëra familje në vendbanimet shqiptare.

Në takim me bujqit, funksionarët e lartë të BDI-së, theksuan nevojën e shoqërisë shqiptare në Maqedoni për pregatitjen e kuadrove në fushën e bujqësisë dhe blegtorisë.

Delagacioni vizitat e sotme i përmbylli me vizitën e punës që i bëri Kompanisë “Gorni Pollog” në Gostivar. /albeu.com/


Shtuar më 13/11/2015, ora 17:32

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori