BDI i kundërpërgjigjet Osmanit
Lideri i Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK) Rufi Osmani ka provokuar kreun e BDI Ali Ahmeti për zgjedhjet e ardhshme lokale. Këtë herë Osmani i ka kërkuar mejdan Ahmetit në komunën e Gostivarit, gjë për të cilën apetitet nga BDI tanimë ka shfaqur Nevzat Bejta, nënkryetar i kësaj partie dhe aktualisht ministër i Pushtetit Lokal.

"Për mua do të kishte qenë interesant sikur z. Ahmeti të ndërronte rezidencën dhe të kandidohej në Komunën e Gostivarit. Një sfidë konkurrimi të kësaj natyre do ta kisha pranuar me shumë kënaqësi", ka thënë Osmani, në konferencën e sotme me gazetarët me rastin e promovimit të selisë së re partiake.

Ai njëherësh ka provokuar edhe ministrin aktual Nevzat Bejta sipas të cilit paraardhësi i tij, "duhet të përgjigjet para organeve kompetente për dëmin që i ka shkaktuar komunës së Gostivarit gjatë qeverisjes me të".

Por, nga BDI-ja kanë thënë se komenti i Osmanit nuk meriton koment, pasi që forca e tij politike u pa gjatë vitit 2011, në zgjedhjet parlamentare ku siç thonë, "RDK pësoi debakëll politik”.

Ndërkohë që Osmani u shpreh optimist se në zgjedhjet e ardhshme partia e tij do të del me një rezultat për 50 për qind më të mirë se ai i zgjedhjeve të fundit. Ai ka thënë se partia e tij ende gjendet në fazë që të analizojnë kandidaturat potenciale, ndërsa ka shprehur shqetësimin e tij për bllokimin e integrimeve dhe kërkoi bashkëpunim me partitë tjera opozitare në drejtim të zhbllokimit të këtij procesi, ndonëse kohë më parë një bashkëpunim i këtij lloji me PDSH-në e Thaçit atij i dështoi plotësisht.

Kur jemi te kjo çështje, madje ministri aktual i Pushtetit lokal Nevzat Bejta nuk përjashton mundësinë e kandidimit të serishëm për kryetar.

"Nëse këtë e kërkojnë qytetarët e Gostivarit dhe strukturat e partisë, sërish do të dalë në "mejdan" gjatë zgjedhjeve lokale të vitit të ardhshëm. Këtë pyetje e parashtrojnë edhe qytetarët. Por për t’u rikandiduar për kryetar komune, është përgjegjësi e madhe për shkak se duhet të punosh dhe t’i plotësosh kërkesat e qytetarëve. Unë kam thënë se secili mund të bëhet qeveritar i çfarëdo qeverisje dhe ministër, por secili nuk mund të bëhet kryetar i komunës. Është përgjegjësi e madhe, ajo nuk varet nga unë, por nga kërkesat e qytetarëve, nga dëshira e qytetarëve, nga kërkesa e strukturave partiake dhe nga organi më i lartë i BDI-së- kryesia qendrore", ka thënë Bejta. /albeu.com/
Shtuar më 12/04/2012, ora 15:52

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori