BDI dhe PDSH bëjnë koalicionin e parë
BDI dhe PDSH bëjnë koalicionin e parë, por të fshehtë, në këshillin komunal të Bogovinës që i mundësoi kështu BDI-së të emërojë ushtruesin e detyrës së kryetarit të Komunës.

Me nëntë vota pro dhe tetë kundër, në krye të kësaj komune është zgjedhur Lumturije Ilijazi, këshilltare e deritanishme e BDI-së.

Kjo është arritur falë mbështetjes së tre këshilltarëve të PDSH-së, përderisa këshilltarët e tjerë të LR-PDSH-së, një këshilltar i zgjedhur nga lista e RDK-së dhe një këshilltarë i pavarur kanë mbështetur kandidatin e opozitës.

Balaci i numrave në këshillin e Bogovinës ka ndryshuar në çastet e fundit pasi deri dje opozita bashkë me këshilltarët e pavarur që kanë braktisur BDI-në kanë pasur shumicën në këshill.

Burime jo zyrtare thonë se kthimi i tre këshilltarëve të PDSH-së në mbështetje të kandidates së BDI-së ka ardhur si pasojë e një urdhëri nga selia qendrore e partisë së Menduh Thaçit.

Ushtruesja e detyrës kryetare e komunës së Bogovinës do të duhet që fillimisht të zgjidh ngërçin me pagat e 500 të punësuarve në administratën komunale dhe arsimtarët e shkollave fillore.

Pas vrasjes së kryetarit të ndjerë të kësaj komune, Hazbi Idrizi, dy muaj më parë, këshilli nuk arriti të zgjedh zëvendësuesin e tij dhe për pasojë gjatë dy muajve të kaluar të punësuarit nuk kanë mundur të marrin paga.

Mbështetja e këshilltarëve të PDSH-së për kandidatin e BDI-së ka ardhur vetëm disa javë pas një takimi që në Tetovë zhvilluan kryetari i BDI-së Ali Ahmeti dhe ai i PDSH-së, Menduh Thaçi.
Shtuar më 11/07/2017, ora 18:11
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori