Gjykata Kushtetuese nuk shkarkoi Metën, reagon Ambasada e SHBA

Ditën e djeshme, pak para mesnatës, Gjykata Kushtetuese njoftoi se ka marrë vendim për të mos shkarkuar Presidentin Ilir Meta, duke rrëzuar kështu Kuvendin.
Sot, përmes një postimi në Facebook, ambasada e SHBA, shkruan se Gjykata Kushtetuese po demonstron aftësinë për të përmbushur funksionin e saj parësor dhe thelbësor duke shqyrtuar faktet dhe argumentet e paraqitura nga palët përkatëse.

Më tej në postim, Ambasada rithekson se SHBA mbështet fuqimisht zbarimin e Reformës në Drejtësi.

Reagimi i Ambasadës:

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, e cila u bë funksionale në dhjetor të vitit 2020, po demonstron aftësinë për të përmbushur funksionin e saj parësor dhe thelbësor duke shqyrtuar faktet dhe argumentet e paraqitura nga palët përkatëse, duke diskutuar mbi këto fakte dhe argumente në bazë të Kushtetutës dhe duke dhënë vendime që pasqyrojnë pavarësi dhe integritet. Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht zbatimin e reformës në drejtësi, përfshi një gjyqësor profesional, të pavarur, si institucion thelbësor për të garantuar shtetin ligjor, si dhe ndarjen dhe balancimin e pushteteve.


Shtuar 17.02.2022 14:36