Bastisen 4 shtëpi në Likovë, policia del "huq"
Në rajonin e Likovës dhe Kumanovës janë paraqitur dyshime se aksioni në Likovë, mund të jetë provokim në kohën kur për shkak tensioneve politike në Maqedoni janë acaruar edhe marrëdhëniet ndëretnike. Rajoni i Likovës në vitin 2001 ishte një nga bastionet kryesore të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, njofton "Lajm".

Mbi 50 pjesëtarë të njësiteve speciale policore të martën kanë bastisur katër shtëpi të familjes Aliu nga fshati Likovë. Aksioni është ndërmarrë në orët e para të mëngjesit kurse më në fund githçka ka përfunduar në stilin e shumë aksioneve të mëhershme të policisë maqedonase në familjet shqiptare: "na falni, paskemi gabuar".

Aksioni është ndërmarrë rreth orës 5 të mëngjesit dhe ka zgjatur 30 deri 45 minuta. Është bastisur edhe shtëpia e profesorit të gjuhës shqipe Avdi Aliu, i cili është edhe drejtor i gjimnazit "Ismet Jashari" në fshatin Likovë.

"Prej rreth 50 policëve sa ishin, vetëm dy prej tyre folën shqip. Të gjithë ishin të armatosur deri në dhëmbë. Gjatë bastisjej së shtëpive nuk janë bë dëmtime të mobiljeve ose oriendive tjera, mirëpo janë tmerruar gratë, pleqtë dhe fëmijët. Djali i kushëriut Egzon Aliu u prangos dhe u shtri për toke pa asnjë shkas. Gjith;ka zgjati rreth gjysëm ore dhe më në fund na kërkuan falje dhe na thanë se aksioni është dashur të realizohet në shtëpitë e disa fqinjëve tanë mirëpo edhe atje më në fund e pranuan se kanë gabuar", deklaroi për "Lajm", Aliu.

Ai paralajmëron se do të ngrejë padi kundër policisë për shkak të traumave që u janë shkaktuar por edhe për shkak të dëmtimit të autoritetit.

Edhe zëdhënësi i policisë Ivo Kotevski, deklaroi se gjatë aksionit nuk është gjetur asnjë dëshmi për vepër të kryer penale.

"Aksioni është ndërmarrë për të verifikuar disa informata paraprake operative për disa vepra të mundshme penale por me rëndësi është se nuk është gjetur asgjë", deklaroi Kotevski për Lajm. /albeu.com/


Shtuar më 12/09/2012, ora 15:38

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori