Banorët e "Lagjjes së Trimave" do e kalojnë këtë dimër jashtë (VIDEO)





Pas 6 muajsh nga ngjarjet e rënda të 9 dhe 10 majit 66 shtëpi të dëmtuara nga konflikti në Lagjjen e Trimave po ndërtohen e rindërtohen. Azem Ibrahimi, banor i lagjes, ka thënë për TV 21 se, nuk dihet se kur do të kthehen në banesat e tyre.

"Erdhëm deri te pllaka e dyshemesë. Po qe se do të mbajë moti, do të kemi mundësi të punojmë edhe më shumë. Nëse jo, atëherë do të vazhdojmë në pranverë. Deri atëherë do të jemi duke banuar me qira", ka rrëfyer ai.

Banorët e "LagjesTrimave" nuk dëshirojnë ta kujtojnë atë ngjarje pasi kanë pësuar një tronditje shumë të madhe ndaj dhe urojnë që skena të tilla të mos përsëriten.

Një tjetër banor i lagjes, Isa Lutfija, thotë se, nga shteti ka marrë vetëm 9.000 euro të cilat nuk janë të mjaftueshme për të riparuar dëmin e shkaktuar.

"Vetëm 9.000 euro mora ndihmë nga shteti. Ato nuk janë të mjaftueshme për t’u bërë shtëpia. Për këtë arsye më ndihmuan vëllezërit dhe shpresoj se do të arrijmë ta kthejmë shtëpinë siç ka qenë më parë", thotë Lutfija.

Kryetari i Bashkësisë Lokale i Tode Mendollit, Shaban Demiri, thotë se gjendja është normalizuar dhe se shpreson se së shpejti rruga "Pero Ilievski" do t’i kthehet jetës normale, siç ka qenë para nëntë majit. Megjithatë, shton Demiri, në lagje ende po ndihet frikë. Si shembull e përmendi aksionin e fundit policor kur popullata përsëri qe shqetësuar.

"Një veturë policore të kalojë, shumë shpejt ndihet trazirë dhe pasiguri. Apo, mos thëntë Zoti, ndonjë helikopter të fluturojë këtu, të gjithë pyesin se çfarë po ndodh. Atëherë kur kishte aksion, 3 orë më kanë telefonuar fqinjtë dhe më pyesnin se çfarë po ndodhte", thotë Demiri.

Pas mbi 24 orësh përplasje në Lagjen e Trimave, u qëlluan 128 familje dhe u shkatërruan 66 shtëpi. Fillimisht ndau një ndihmë prej 100.000 denarësh, pas së cilës një komision profesional shqyrtoi objektet dhe pas vlerësimit iu paguan mjete për rindërtim të shtëpive. /albeu.com/
Shtuar më 05/11/2015, ora 10:13

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori