SHBA aktivizon në Shqipëri Shtabin e Forcave Speciale për Evropën, Peleshi: Lidhje e fortë mes dy partnerëve

Aktivizohet në Shqipëri Shtabi i Përparuar i Komandës së Forcave Speciale Amerikane në Evropë. Në ceremoninë e zhvilluar me këtë rast ishin të pranishëm Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, ambasadorja e SHBA në Shqipëri Yuri Kim, zv.ministrja Dallëndyshe Bici, Gjeneralmajor David Tabor, komandant i Forcave Speciale amerikane në Evropë, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Gjeneralmajor Bajram Begaj, si dhe Zv.Shefja e Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Manushaqe Shehu.

Në fjalën e tij, Ministri i Mbrojtjes duke shprehur kënaqësinë për këtë vlerësim që i bëhet Shqipërisë tha se “rëndësia dhe jehona e vendosjes së këtij Shtabi, i kalon “kufijtë” e vendit tonë, pasi është i një rëndësie të veçantë për të gjithë rajonin”.

“Ne vlerësojmë dhe mirëpresim përpjekjet e panumërta të Shteteve të Bashkuara për sa i përket rritjes së aftësive dhe kapaciteteve ushtarake të vendeve të rajonit tonë dhe, në veçanti, mbështetjen dhe ndihmën e vazhdueshme që SHBA-të kanë dhënë për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Dislokimi i këtij Shtabi në Shqipëri, është një tjetër provë e fortë e këtyre përpjekjeve”, theksoi ministri Peleshi.

Sipas ministrit Peleshi, “ky vendim erdhi në momentin e duhur, në kulmin e pasigurive dhe situatës së zymtë që po kalon kontinenti ynë, si dhe dëshmoi për të disatën herë lidhjen e fortë që buron nga Partneriteti Strategjik i Shqipërisë me SHBA-të”.

“Vendi ynë e ka bërë të qartë qëndrimin për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, sipas kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht. Mbështetja jonë për Ukrainën ka qenë dhe do të vijojë të jetë e palëkundur. Kjo mbështetje konsiston në qëndrime politike, diplomatike, e cila kulmon me veprimet dhe qëndrimet tona në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, por edhe mbështetje të natyrës praktike ushtarake.  Për më tepër, kush mendonte se do të na përçante në këtësituate të vështirë, bëri llogari të gabuara, pasi, Aleanca jonë, BE-ja dhe gjithë Komuniteti Perëndimor u bashkuan dhe janë më të bashkuar se kurrë më parë, në mbështetje të Ukrainës”, theksoi ministri Peleshi.

Sipas tij, “Shqipëria mbetet e angazhuar për vijimin dhe shtimin e përpjekjeve që mbajnë larg rajonit tonë këta aktorë me qëllime dhe influenca dashakeqëse”.  Ministri i Mbrojtjes tha se vendosja e këtij shtabi në vendin tonë është një sinjal i fortë për të gjithë rajonin.

Për ambasadoren amerikane Yuri Kim, prania e kësaj baze amerikane, tregon se lidhjet mes Shqipërisë dhe SHBA janë më të forta se kurrë. “Vitin e kaluar mikpritët “Defender ‘21” duke dëshmuar se marrëdhënia jonë e sigurisë ishte gati për nivelin tjetër. Dhe ja ku jemi. Me vënien në funksion të Task Forcës për Ballkanin për herë të parë në histori, Shqipëria ndoshta për habi të të gjithëve, do të jetë baza e një pranie të përhershme ushtarake amerikane”, u shpreh ambasadorja e SHBA, Yuri Kim.

Ky shtab do ofrojë ekspertizë të lartë dhe do të sigurojë ndërveprueshmëri me Forcat Speciale shqiptare, por edhe me ato të rajonit.