Babai rrëfen për djalin e tij, si u fut në ushtrinë amerikane
Dikush duke mos parë perspektivë në Kosovë, e dikush tjetër për një jetë më të mirë, shumë të rinj nga Kosova ia kanë mësyrë botës.
Edhe pse për ndonjërin një gjë e tillë nuk ka dalë si vendim i duhur, për shumicën, diçka e tillë është treguar e suksesshme. Këtë e dëshmojnë edhe të rinj të shumtë të Kosovës, njëri ndër të cilët është edhe Eroll Shkodrani, nga Peja, përcjell Telegrafi.

Djaloshi pejan, sapo kishte përfunduar vitin e dytë të shkollës së mesme ia kishte mësyrë Amerikës.

Siç rrëfen babai i tij, Bajrami, djali i tij tanimë 29 vjeç, kishte shkuar në Amerikë, pasi kishte përfunduar vitin e dytë të shkollës së mesme, i vetëm dhe i ri.

Ai atje kishte fituar të drejtën e shkollimit dhe më pas kishte regjistruar fakultetin e Elektroteknikës, të cilin edhe e ka përfunduar.

Por ai nuk ishte ndalur me kaq – kishte dashur të bëhet edhe pjesë e ushtrisë amerikane.

Kështu, pas aplikimit dhe kalimit me sukses të të gjitha trajnimeve, tanimë ka fituar të drejtën për të qenë pjesë e ushtrisë amerikane.

Dhe siç ka rrëfyer Bajrami për Telegrafin, nuk kishte qenë e lehtë për atë si prind që të lejonte që ai aq i ri të largohej nga shtëpia.

Megjithatë, Erolli nuk e kishte zhgënjyer familjen e tij.

Dy pjesëtarët e familjes amerikane të cilët e kishin ndihmuar pejanin për gjithçka

“Ai ka kryer të gjitha trajnimet dhe tanimë është pranuar në forcat rezervë të ushtrisë amerikane – me një kontratë trevjeçare. Në këtë status, ai duhet të paraqitet dy ditë në muaj, për të kryer stërvitjet e duhura”, ka rrëfyer babai i djaloshit pejan.

Në këtë drejtim, babai i tij tregon se me një status të tillë ai merr një pagesë simbolike dhe se me marrjen e nënshtetësisë amerikane ai planifikon edhe të gjejë një vend pune.


Shtuar më 02/01/2019, ora 08:30

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori