Avokati i Popullit: Te fëmijët ushtrohet dhunë
Në Maqedoni ekziston dhunë ndaj fëmijëve në familje, në shkolla dhe në institucionet për përkujdesjen e tyre, kurse vjen e shpeshtohet edhe mes vete fëmijëve, nëpër shkolla dhe jashtë tyre.

Kështu ka deklaruar Avokati i Popullit, Ixhet Memeti, gjatë pjesëmarrjes në tryezën e rrumbullakët në temën "Dhuna ndaj fëmijëve dhe mes tyre", që po mbahet sot në Shkup.

Dëshpëruese për Avokatin e Popullit, është e dhëna se në disa shkolla dhe institucionet përkujdesëse, zbatohen metoda të dhunshme për disiplinimin dhe edukimin e nxënësve, kurse po aq brengosës është edhe një dimension tjetër në këtë përdorim dhune, njofton Zhurnal.


"Kjo është jotoleranca mes fëmijëve të së njëjtës përkatësi etnike, por edhe të përkatësive të tjera etnike, si dhe paragjykimet mbi përkatësinë e të tjerëve dhe përpjekjet për të zgjidhur dhunshëm ndonjë mosmarrëveshje", ka theksuar Memeti.

Shkaqet për rritjen e dhunës ndër fëmijët, vlerëson Memeti, është mungesa e komunikimit mes fëmijëve, mungesa e shoqërimit të përbashkët, si dhe mosinformimi dhe mosnjohja e kulturës dhe traditës së tjetrit.


"Është i domosdoshëm rol më proaktiv i shërbimeve profesionale në shkolla në kontaktet me nxënësit dhe prindërit e tyre dhe bashkëpunim me personat kompetentë në qendrat e punës sociale, krejt me qëllim rritjen e komponentit edukues në procesin arsimor, parandalimin e problemit dhe ndërmarrjen në kohë të masave për parandalimin e sjelljes eventuale negative të fëmijëve", ka vijuar më tej kreu i institucionit të Avokatit të Popullit.

Shtuar më 26/10/2012, ora 12:21

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori