Avokati i Popullit: Partitë politike keqpërdorin policinë
Aksionet e fundit të policisë në fshatrat e Karadakut të banuara kryesisht me shqiptar kanë pasur për qëllim mbjelljen e frikës dhe pasigurisë tek popullata.

Kështu shprehet Avokati i Popullit Ixhet Mehmeti, sipas të cilit deklarata e Ministrit të Brendshëm Oliver Spasovski ishte tejet konfuze. Mehmeti gjithashtu porositë bartësit e funksioneve që t’i japin fund mënyrës së këtillë të përdorimit të policisë.

“Shumë lehtë qytetarët nga kjo mënyrë e veprimit krijojnë dyshime se kjo bëhet me qëllim politik ose me motivacion nacional që është shumë e keqe për Maqedoninë si shoqëri e brishtë dhe si shoqëri në të cilën është humbur besimi në institucionet e shtetit”, tha Ixhet Mehmeti.

Mehmeti gjithashtu thotë se është e papranueshme të zhvillohet një aksion policor i cili zgjatë me ditë të tëra dhe popullata mos të dijë se çfarë po ndodh!

“Koha ka treguar se partitë e ndryshme politike duke shfrytëzuar institucionet dhe pozicionet e tyre politike, keqpërdorin policinë bile me motivacione etnike pasi qytetarët kanë këtë perceptim se ata përmes kësaj mënyre të veprimit përfitojnë pikë politike, kjo është e palejueshme, e pa-tolerueshme për Maqedoninë, nuk mund të ngrihet besimi i qytetarëve në MPB në këtë formë, në këtë mënyrë të veprimit në terren”, theksoi Avokati i Popullit.

Avokati i Popullit shprehet se aksioni i fundit i policisë është rezultat i luftës së ashpër mes pozitës dhe opozitës që për momentin ndajnë postet ministrore në një koalicion teknik. Sipas tij këto parti politike sistematikisht dalin me deklarata kontradiktore dhe konfuze duke keqpërdorur në këtë mënyrë institucionet për qëllime politike. /albeu.com/
Shtuar më 27/03/2016, ora 16:01
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori