Deri më tani asnjë parti
politike përveç VMRO-DPMNE-së, nuk duan
zgjedhje të reja parlamentare, njofton "Portalb.mk".
Zëdhënësi i BESA-s, Faton Fazliu, ka thënë se opsioni më i mirë është që të formohet Qeveri
politike dhe të mos shkohet në
zgjedhje.
"Ne vlerësojmë se duhet të shihen të gjitha mundësitë për krijimin e Qeverisë stabile
politike, por nëse edhe atëherë nuk ka ndonjë rezultat, atëherë duhet të diskutojmë për atë temë", tha Fazliu për "A1on".
Ndërkohë,
zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov, ka bërë me dije se nga kjo parti po presin që presidenti Gjorge Ivanov t'i dorëzojë mandatin për formimin e Qeverisë.
Nga Aleanca për Shqiptarët vlerësojnë se nuk ka nevojë për
zgjedhje të reja. Sipas liderit të LR-PDSH-së, Ziadin Sela, partitë shqiptare nuk duhet të pranojnë
zgjedhje, ndërkaq nëse ajo ndodhë, ata do t’i ftojnë të gjitha partitë shqiptare që t’i bojkotojnë të njëjtat.
Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, të dielën pas mbarimit të mbledhjes tha se ende nuk është arritur marrëveshje për njërën nga 5 pikat që kryetari i partisë Ali Ahmeti i ka ofruar si opsione për dalje nga kriza, ndërkaq njëra prej tyre është edhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. /albeu.com/
Shtuar më 31/01/2017,
ora 15:57