Asgjë për kompletimin e qeverisë, Zaev niset drejt Sarajevës
Pëlqej
Plotësimi i vendeve të zbrazëta në qeveri apo riformatimi i saj ende nuk duken askund, pasi partitë e koalicionit deri tani nuk janë takuar.

Kryeministri Zoran Zaev ka udhëtuar sot drejt Bosnjë – Hercegovinës për vizitë zyrtare dhe se kthimi i tij në vend pritet të jetë të shtunën në mbrëmje ose të dielën në mëngjes.

Zaev paralajmëroi se kjo çështje do të përfundojë deri në fund të javës. Ai këtë e kishte thënë edhe për javën e kaluar, por asnjë rezultat.

Nga Aleanca për Shqiptarët theksuan se nuk ka asgjë sa i përket ndonjë takimi dhe se sipas tyre presin që të ulen në tryezë me partnerët e koalicionit.

ASH tanimë ka kandidatin për ministër dhe se bëhet fjalë për specialistin e mjekësisë, Vullnet Ferati nga Tetova. Edhe pse me Ministrinë e Shëndetësisë deri para zgjedhjeve lokale ka udhëhequr Aleanca për Shqiptarët, mbetet e paqartë nëse me reformatimin e Qeverisë ky dikaster do të vazhdojë të udhëhiqet përsëri nga kjo parti, pasi kryeministri Zaev në prononcimet e tija për media nuk e ka përjashtuar mundësinë që me të njëjtën të udhëheqë ndonjëra nga partitë e shumicës parlamentare, duke thënë se po shqyrtohen të gjitha mundësitë dhe duhet të zgjidhet opsioni më i mirë për këtë post, njofton INA.

Posti i Ministrit të Shëndetësisë dhe atij pa resor për investime të huaja, kanë mbetur të zbrazëta, pas zgjedhjes për kryetarë komunash të Arben Taravarit për kryetarë në komunën e Gostivarit dhe Ramiz Merkos për kryetar në komunën e Strugës. /albeu.com/

Shtuar më 17/11/2017, ora 19:18

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori