Arifi: Nuk lejojmë dënimet pa gjyq
"Maksimalisht kemi insistuar që procesi të jetë ashtu siç duhet dhe asnjë mos të mbahet pa argumente dhe dëshmi. Dhe kjo ndodhi. Nuk pajtohemi me dënimin para kohe. Përfundimisht mendojmë se ai që para kohe jep deklarata dhe gjykon, do të mbajë përgjegjësi politike".

Ky është qëndrimi i zëvendëskryeministres së Maqedonisë dhe nënkryetares së BDI-së, Teuta Arifi i shprehur në një intervistë për televizionin "Al Jazeera".


"Kemi qëndrimin tonë, kishim disa mbledhje partiake. Kishim periudhë e cila ishte mjaft sensacionale, konflikte mes nxënësve të cilët kulminuan me vrasjen e fundit të pesë fëmijëve. Organet përgjegjëse duhet të gjejnë se kush qëndron mbas kësaj vrasje dhe kush është vrasësi. Në këtë insistojmë pasi nuk dëshirojmë të kolektivizojmë përgjegjësinë. Në çdo komb ka njerëz të mirë dhe të atillë që mund të bëjnë gjëra të tilla. Ata duhet të identifikohen. Në ambientet ndëretnike, nëse kjo nuk pengohet me kohë krijohen tensione edhe më të rrezikshme", tha Arifi.

E pyetur se çfarë mendon për kualifikimin "radikal islamik" dhe "terroristë", Arifi u përgjigj:

"Mendoj se nuk duhet të prejudikojmë për gjëra të tilla. Ekziston proces. Nëse ai proces tregon se është ashtu ose kështu, atëherë mund të themi diçka. Por të prejudikosh është e papranueshme". /albeu.com/
Shtuar më 23/05/2012, ora 09:31

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori