Arben Xhaferi, Marrëveshja e Ohrit dhe "xhihadistët"
Pëlqej
nga Lavdrim Lita

Datat janë gjurmët që njerëzit lënë në histori. Në pak ditë përkujtojmë 13-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe 2-vjetorin e vdekjes së liderit të shqiptarëve të Maqedonisë, Arben Xhaferit. Këto përkujtime na kthejnë në kohë.

Në kohën kur shqiptarët e Maqedonisë iu kishte ardhur në majë të hundës nga padrejtësia dhe lufta për të drejta të barabarta brenda një shteti të pavarësuar vonë doli të ishte një imperativ kategorik.

Padyshim Marrëveshja e Ohrit 13 vjet më parë erdhi si rezultat i tërmetit tektonik, që po tronditnin nga viti në vit trojet shqiptare. Shqipëria pësoi ngjarjet e tmerrshme të 1997-s, Kosova u çlirua në 1999 dhe Maqedonia në 2001 u përfshi në lëvizjen për të drejta të shqiptarëve.

Janë tri ngjarje që kanë lidhje organike me njëra-tjetrën sepse faktori shqiptar po ziente nga brenda saj. Në këtë kontekst, burri i urtë e i mençur, Arben Xhaferi, kishte largpamësinë të shikonte në këto kohë të pasigurta momentum-in historik të shqiptarëve në Ballkan.

Dhe koha i dha të drejtë Xhaferit me çlirimin e Kosovës, me forcimin e të drejtave të shqiptarëve me Marrëveshjen e Ohrit, me pavarësinë e Kosovës, me anëtarësimin e Shqipërisë në aleancën më të madhe ushtarake perëndimore, NATO, ku shqiptarët patën shans t’i tregojnë botës se janë faktorë politikë në Ballkan.

Arben Xhaferi nuk ishte thjesht një politikan shqiptar, që po përpiqej të imitonte rilindasit sipas përkthimit të fjalëve në vepra. Ai ishte një filozof veprimtar i çështjes kombëtare dhe këto nuk janë lajka. Nuk ka asgjë më të bukur për një veprimtar të çështjes kombëtare të shikojë që koha po punonte për shqiptarët.

Arben Xhaferi vdiq në paqe. Ai i pa dhe i la shqiptarët më mirë seç i gjeti kur lindi. I gjeti të përçarë në troje, në mendime dhe në forcë. Nëse lexon intervistat e tij të shumta kupton që e njihte mirë natyrën e vrullshme dhe të manipulueshme të shqiptarëve.

Madje, në një intervistë të hershme Arbën Xhaferi i paralajmëronte shqiptarët për rrezikun e fundamentalizmit islamik, që po depërtonte tek shqiptarët e Maqedonisë, Kosovës e Shqipërisë, duke i thënë një kolegie mosbesuese se, “Hiqe perden, shikoje. Jemi të rrezikuar”. Ai ishte profetik, duke parë zhvillimet e ditëve aktuale.

Sidoqoftë, Arben Xhaferi punoi fort t’i bashkonte shqiptarët në mendime dhe nga forca e mendimit të vinte bashkimi i trojeve. Pasuria që kanë shqiptarët në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri sot është aktivizmi politik e intelektual i Arben Xhaferit, që për mendimin tim, duhet të ruhet me fanatizëm dhe të përpunohet edhe si një doktrinë politike.

Memoria e tij në librin, “Në Tetovë, në kërkim të kuptimit”, të gazetarit, Enver Robelli, është një dokument mbi të cilin duhen ndërtuar aksione të reja politike. Sipas tij, “Njerëzit gjithmonë kërkojnë atë që s’kanë, lirinë, famën, mirëqenien. Pretendimet për siguri, zgjerim territorial, pasuri nëntokësore, pozita të favorshme gjeostrategjike, ekonomike, klimatike, prestigj kanë ekzistuar gjithmonë. Njerëzit, në të gjitha kohët, kanë pasur lakmi. Për mua janë me rëndësi qëllimet politike të rikthimit simbolik në të kaluarën, pra, arsyetim e lakmisë”. Komunikimi politik i thellë dhe i peshuar ishin arma, me të cilën luftoi Xhaferi.

Një pikë ujë çdo ditë në të njëjtin gur e çan atë. Ndërgjegjja, arma me të cilën mund të luftosh beteja të pafundme. Nuk është e thënë t’i fitosh të gjitha betejat për të qenë fitimtar. Mjafton të fitosh betejën e ndërgjegjësimit e të drejtave për të qenë njeri. Mjafton të lexosh një varg të poetit romak Horacit, që thotë, “Greqia, e pushtuar (nga romakët), e pushtoi pushtuesin e egër”, se forca nuk është gjithçka sidomos përpara ndërgjegjes kulturore të asaj çka je dhe të asaj çka dëshiron t’u lesh pasardhësve.

Arben Xhaferi dëshironte t’u linte shqiptarëve një model sjelljeje dhe këtë s’mund ta bënte me fjalë, por me vepra. Dhe vepra më e madhe e Arbën Xhaferit është sjellja konstruktive në politikë. Njeriu që ndërton ura komunikimi që nuk prish raporte besimi. Sidoqoftë, këto përvjetorë të rëndësishme do të kujtoheshin sot dhe do të harroheshin nesër në qoftë se ne nuk zbatojmë marrëveshjet.

Zbatimi i marrëveshjeve e dallon qytetarin nga barbari. Një shprehje e shenjtë latine aq e përdoruar në të drejtën civile dhe në atë ndërkombëtare është “pacta sunt servanda”, që marrëveshjet zbatohen. Marrëveshja e Ohrit është kushtetuta e paqes. Dhe zbatimi i Kushtetutës është një obligim për çdo qytetar, qoftë me pushtet qoftë pa pushtet.

*Autori është gazetar nga Tirana dhe njohës i mirë i rrethanave politike e shoqërore në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni
Shtuar më 17/08/2014, ora 11:17
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori