“Flet tani që humbi kreun”, Ramos ironizon Pique: Arbitrat nuk na ndihmojnë

Nuk mund të rrinte i heshtur kapiteni i Realit të Madridit pas deklaratave të Xherard Pikesë se madrilenët nuk do të lënë më pikë dhe do t’i fitojnë të gjitha ndeshjet me ndihmën e arbitrave.

Serxho Ramos thotë se Pike ka nisur të flasë në këto momente sepse e ka humbur vendin e parë, ndërsa më parë nuk ka thënë asgjë.

“Është normale që të ketë polemika. Njerëzit kanë filluar të flasin sepse ne morëm vendin e parë. Më përpara nuk flitej kaq shumë. Nuk mendoj se arbitrat na kanë ndihmuar, por e kemi merituar gjithçka në fushën e lojës. Njerëzit të mos bëhen me fiksime”, tha fillimisht Ramos.

SKUADRA – “Ishim pak të lodhur në këtë ndeshje. Po luajmë çdo tri ditë dhe nuk është normale. Kemi shumë gjëra për t’u përmirësuar. Nuk jemi të kënaqur me lojën dhe në disa faza e dimë që mund të bëjmë më mirë”.

PËRMIRËSIM – “Gjithmonë në të gjitha aspektet ka vend për t’u përmirësuar. Nuk mund ta bëj analizën tani. Ndoshta duhet të shënojmë më shumë gola dhe t’i ‘vrasim’ ndeshjet. Duhet të rrëmbejmë më shumë topa në zonën kundërshtare, të kemi më shumë kontroll. Besoj se këtë herë nuk e bëmë prej lodhjes”.


Shtuar 25.06.2020 17:54