Anisa ka nevojë për ndihmën tuaj
Ai është nga qyteza e Peqinit – rrethina e Librazhdit të Shqipërisë. Asqeri Hyskja, së bashku me gruan e tij dhe pesë fëmijët tash e pesë vite jetojnë në Tetovë. Ndonëse ende nuk e ka rregulluar tërë dokumentacionin, megjithatë ai ka arritur që të regjistrojë të gjithë fëmijët në shkollën fillore “Andrea Saveski Kikish”.

Punon si punëtor krahu në Tetovë, ndërsa jeton me qira në një shtëpi me kushte jo të mira për jetesë. Por, banimi nuk është problemi i tij, as ushqimi, por vajza Anisa 7-vjeçare, e cila ka probleme me kyçet. Ajo me këtë problem jeton që kur ka lindur në Spitalin e Librazhdit. Operacioni kushton shumë për këtë vajzë, ndërsa ai vet nuk mund të përballojë harxhimet.

“Vajza Anisa që është në klasë të parë, ka probleme me kyçet. Gjatë lindjes, mjekët nuk kanë patur kujdes. Ajo kohë pas kohe ka dhimbje dhe çalon kur ecën. Kam bërë analiza edhe në Spitalin e Tetovës dhe sipas mjekëve, shërimi i saj kushtin shumë rreth 20 mijë euro.

Duhen nga dy operacione në dy këmbët. Unë nuk kërkoj ndihmë për ushqim, për veshmbathje apo shtëpi, por kërkoj që të më ndihmohet për operacionin e vajzës”, thotë Hyskja. Sikur problemet dhe hallet e kësaj familje të mos kenë fund vetëm me këtë problem. Probleme shëndetësore kanë edhe dy fëmijët tjerë, djali Antonio 8-vjeçar dhe Elandra 6-vjeçare.

“Djali Antonio ka probleme me sytë nga temperatura dhe kjo i shkakton problem nervore. Disa herë i kam blerë syza, por të njëjtat i thyen sepse ka probleme edhe me nervat nga kjo sëmundje. Vajza tjetër Elandra ka problem me sytë dhe me këmbët. Jo sa vajza e parë, por edhe kjo ka probleme”, shprehet Hyskja.

Krahas këtyre problemeve edhe vet burri e grua kanë problem shëndetësore, por ata i kanë harruar dhimbjet e tyre vetëm për të shëruar fëmijët. “Gruaja ka shqetësimet e saja, por ajo është pajtuar që më shumë të kujdesemi për fëmijët se sa për shëndetin e saj. Unë kam patur operacion në Itali për shkak të ngritjes së peshave të rënda. Një dimër kam qenë i palëvizshëm për shkak të problemeve në shtyllën kurrizore. Të gjitha këto i kam harruar për shkak të vajzës. Atë dua ta shëroj, ne tjetër mund të mbijetojmë”, apelon ai.

Sipas kryefamiljarit, ndihmë ka kërkuar edhe në Shqipëri, por atje nuk u ka ndihmuar askush. Tash e pesë vjet Asqeri Hyskja jeton në Tetovë, me një leje qëndrimi, por duke shkolluar fëmijët e tij dhe duke punuar për të mbijetuar, ndërsa shpreson që një ditë të marrë edhe shtetësi. Ai thotë se edhe shërbimet mjekësore i merr këtu në Tetovë.

Kjo familje 7 anëtarëshe jeton në lagjen Cetinska të Tetovës, në një shtëpi që nuk plotëson kushtet elementare për jetesë, por kjo familje kërkon ndihmë për operacionin e vajzës dhe jo për mëshirë. “Për ushqim dhe për mbijetesë kam aq mundësi sa të punojë punë fizike dhe të mos dal të kërkoj lëmoshë, por shërimi i vajzës është më i rëndësishëm se gjithçka tjetër. Të gjithë ata që kanë mundësi për të ndihmuar këtë familje, mund të drejtohen në numrin e telefonit 071 973 368.


Shtuar më 28/04/2018, ora 08:51
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori