Anila Limani, gazetarja më e mirë hulumtuese në Maqedoni
Gazeta Lajm Maqedoni
Gazetarja dhe redaktorja e gazetës “Lajm” nga Shkupi, Anila Limani është fituese e parë e çmimit për gazetari hulumtueseJashar Erebara”, që të premten në mbrëmje e ndau Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë. Si një ndër emrat më të njohur të gazetarisë shqiptare në Maqedoni, Anila Limani këtë çmim e ka fituar falë storjes hulumtuese me titull “Dhuruan mijëra euro, fituan miliona”. Kjo storje hulumton dukuritë korruptuese në financimin e partive politike, posaçërisht gjatë fushatave parazgjedhore.

“Është nder i madh për mua që jam fituese e këtij çmimi. Ky çmim do të jetë një stimul më shumë që të vazhdoj punën time në storjet hulumtuese”, deklaroi Anila pas pranimit të çmimit.

Ndarja e çmimit “Jashar Erebara”, që u bë për herë të parë sivjet, u mundësua pas ardhjes në krye të SHGM-së të gazetarit Naser Selmani. Ky çmim, që mban emrin e botuesit të parë të gazetës shqipe në Shkup me emrin “Shkupi” (në vitin 1911), do të jetë tradicional dhe tani e tutje do të ndahet për çdo vit.

Jashar Erebara ka lindur në Dibër në vitin 1873, u shkollua në Shkup dhe Bukuresht, atdhetar dhe intelektual i shquar që dha një kontribut të madh patriotik dhe publicistik. U mor mjaft me botime në gjuhën shqipe, ishte kryeredaktor i gazetës "Albania" dhe themelues i gazetës së parë në gjuhën shqipe në Maqedoni "Shkupi".
Shtuar më 18/02/2012, ora 15:59

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori