Analistët: Zvarritja e bisedimeve për formimin e qeverisë po thellon krizën
Maqedonia është në periudhë që nuk ka kohë për të pritur, pasi zvarritja e vendimit për të formuar qeverinë e re, mund të ketë pasoja në thellimin e krizës në vend.

"Zvarritja e BDI-së për të marrë vendimin për qeverinë e re ka disa pasoja për momentin. E para është që kriza politike thellohet sepse nuk gjendet ndonjë zgjidhje. E dyta është që qeverisë aktuale e cila në fakt është delegjitimuar, i zgjatet mandati në mënyrë artificiale që nuk është mirë për shtetin sepse ndryshimet janë gjithmonë të mira. Dhe e treta zvarritja e vendimit nga BDI-ja në fund do të krijojë përshtypjen që ata kanë rënë dakord me ndonjë parti politike për shkak të nevojës dhe jo sepse ashtu kanë dashur", ka thënë Petar Arsovski

Nga ana tjetër, analisti Arsim Sinani, ka thënë se një taktizim i tillë i partnerëve të koalicionit qeverisës aktual, do të thotë blerje kohë për skadim të mandatit të Prokurorisë Speciale.

"Partitë që qeverisën deri më tani duket sikur po duan të fitojnë kohë sepse me këtë përfundon edhe mandati i Prokurorisë Speciale. Presidenti Ivanov e komlikoi edhe më tej situatën me mënyrën se si i ftoi partitë politike dhe në fund nuk mori ndonjë vendim efektiv", tha Arsim Sinani.

Ndërkohë, ndërkombëtarët kanë kërkuar formimin e qeverisë së re sa më shpejtë që të jetë e mundur. /albeu.com/
Shtuar më 06/02/2017, ora 13:44

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori