Analistët: Ndërkombëtarët mund të qetësojnë situatën në Maqedoni
Ekspertët politikë, Ismet Ramadani dhe Petar Arsovski thonë se situata politike është shumë e ndërlikuar dhe ajo mund të eskaloj edhe më tutje. Protestat nuk do të ndalen, por do të fitojnë në masë sepse qytetarët janë skajshmërisht të dëshpëruar, veçanërisht pas vendimit të Ivanovit.

Zgjidhjen e krizës së thellë, ata e shohin vetëm me rritjen e ndërhyrjeve të ndërkombëtare. Ramadani vlerëson se në bazë të deklarimeve që i kemi dëgjuar këto ditë nga ndërkombëtarët, ata janë shumë më eksplicitë. Reagimi i ministrit të jashtëm të Gjermanisë apo ministrit të Jashtëm të Britanisë apo DASH, sipas Ramadanit, flet shumë qartë se sa serioze është situata.

“Praktika tregon se partitë politike vet nuk janë në gjendje të ulen dhe ta tejkalojnë këtë situatë. Pastaj nuk kemi kryetar shteti që i ka mbetur pak autoritet për ti ulur liderët. Në vend që të ndihmon që të tejkalon këtë situatë përkundrazi edhe më shumë e ndezi fitilin e destabilizimi. Dalja nga kjo situatë është vetëm me intervenim diplomatik, ndoshta edhe shater diplomatik, buldozher diplomat”, ka thënë për Tv Shenja, analisti politik Ismet Ramadani.

Ndërkohë, Arsovski shprehet se vendimi i Ivanovit për abolim, që solli deri te shpërthimi i pakënaqësive, ka bërë që të kemi në më shumë vende më shumë mitingje. Ai thotë se nga kjo situatë janë të mundura tre skenare globale.

“Opsioni i parë është që bashkësia ndërkombëtare megjithatë do të arrijë që në periudhën e ardhshme t’i ulin në tryezë partitë politike dhe të gjejnë një kompromis që të normalizohet gjendja. E dyta është se pakënaqësia e qytetarëve të sjellë incidente më serioze dhe e treta është që do të kemi ndonjë status kuo të paktën deri në zgjedhje me situatë të pazgjidhur politike dhe menjëherë pas zgjedhjeve të diskutohet se cili është hapi i ardhshëm në këtë situatë”, është shprehur analisti politik Petar Arsovski.

Ndërkohë, Ramadani u shpreh se është brengosëse fakti që BDI edhe më tej vazhdon ta përcjell Nikolla Gruevskin dhe partinë e tij edhe atëherë kur u bë e qartë se ambasada ruse po mban anën e VMRO në pushtet, kundër të gjitha institucioneve perëndimore dhe amerikane./Albeu.com/
Shtuar më 16/04/2016, ora 17:20

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori