Ambasadori amerikan në Maqedoni paralajmëron për pasojat e korrupsionit
Pëlqej
Ambasadori amerikanMaqedoni, Jess Baily dënoi korrupsionin e përhapur në vend dhe paralajmëroi për pasojat e tij.

Në një ligjëratë të mërkurën para studentëve të Fakultetit Juridik në qytetin e Shtipit, ai tha se korrupsioni dhe dobësia e shtetit ligjor shkojnë bashkë dhe viktimat janë zakonisht të rinjtë.

“Ata shkurajohen, humbasin besimin tek sistemi dhe kjo i detyron në vendimin e vështirë për t’u larguar nga vendi për një jetë më të mirë”, theksoi ambasadori, ndërsa tha se të gjithë duhet të angazhohen në luftën kundër korrupsionit.

Ai shtoi se qytetarët mund të denoncojnë tek institucionet shtetërore, në media dhe tek Avokati i popullit për korrupsionin.
Ambasadori amerikan vërejti se “institucionet në Maqedoni nuk punojnë siç duhet, dhe për këtë njerëzit kërkojnë mënyra t’i detyrojnë që të veprojnë më mirë”.

“Qytetarët shpesh gjejnë miq ose i japin ryshfet dikujt që do t’ua kryente punën. Kjo duket një punë e vogël, por ka impakt të fuqishëm ndaj zhvillimit të shtetit”, tha ambasadori amerikan.

Ai po ashtu theksoi se për shkak të korrupsionit nëpër institucione shumë të rinj dhe investitorë heqin dorë nga investimet apo që të hapin kompanitë e tyre.

Ambasadori Baily foli edhe për çështjen e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, përkatësisht bonuset e larta që anëtarët e komisionit i kishin ndarë për vete, për çka tha se me njoftimin publik që kishte bërë, kishte ndihmuar debatet në lidhje me korrupsionin.

Ambasada amerikane në Shkup ka organizuar këto ditë një sërë ngjarjesh për të shënuar ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit duke vënë fokusin mbi koston e kësaj dukurie ndaj ekonomisë, ndikimin e saj ndaj institucioneve demokratike dhe veprimet që individët mund të marrin për ta luftuar atë.
Shtuar më 13/12/2017, ora 23:01

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori