Ali Ahmeti: Zgjedhje të reja nëse nuk pranohet platforma e përbashkët
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka thënë se nëse partitë maqedonase nuk pranojnë platformën e përbashkët, vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve të reja.

Gjatë një interviste në "Click Plus", kreu i BDI-së, Ali Ahmeti e thotë qartë, nëse nuk pranohet platforma e përbashkët, qeveri nuk do të ketë dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të reja.

"Pse jo?! Sigurisht që vendin e çon në zgjedhje të reja mospranimi i platformës nga cili do subjekt", ka thënë Ahmeti.

Ndërkohë, Nikolla Gruevski ka thënë se dy gjuhësia nuk mund të realizohet në territorin e Maqedonisë, nëse VMRO DPMNE është kundër. "Në BDI e dinë shumë mirë këtë", ka thënë Gruevski.

Ish ministri i punëve të brendshme dhe kandidat për president nga radhët e LSDM-së, Lubomir Fërçkovski, e vlerësoi platformën e përbashkët si një dëshpërim të madh.

"Nuk e di kush e ka përpiluar, kush ju ka ndihmuar, dhe ku e kanë hartuar, por ky dokument objektivisht i ndihmon vetëm VMRO DPMNE-së dhe Gruevskit, si dhe BDI-së dhe Ali Ahmetit, për ti rinovuar pozitat e tyre të shkatërruara, kurse shqiptarëve të Maqedonisë nuk mund të ju ndihmojë asgjë", është shprehur Fërçkovski.

Nga ana tjetër, Aleanca për Shqiptarët dhe Rilindje me Besë kanë përsëritur disa herë, që nuk duan koalicion me Nikolla Gruevskin. /albeu.com/

Shtuar më 10/01/2017, ora 15:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori