Xhaferaj i përvishet Klosit: Dako i pari, të ndëshkohen përgjegjësit e viktimave të tërmetit në Durrës!

Mbrëmjen e së mërkurës në “Opinion” u diskutua në lidhje me pasojat e tërmetit në Durrës.

Gjatë diskutimit në studio ka pasur një debat të ashpër mes ish-ministrit dhe kreut të PD-së së Durrësit Ferdinand Xhaferaj dhe ministrit Blendi Klosi.

Xhaferaj theksoi se në Durrës duhet të ketë hetime dhe të vendoset drejtësi për ndërtimet e paligjshme që sollën viktima të pafajshme.

“Nuk mund të ketë ringjallje po nuk u vendos drejtësi në vend. Duhet të dënohen ata që shkaktuan masakrën urbane.

Ke 590 familje në cadra, po bëhen më shumë se dy muaj kur do të reagoni, kur do të zgjidhet problemi i strehimit.

Unë jam durrësak, ndaj po ngre zërin për këtë padrejtësi. Nuk i vrau tërmeti viktimat, po qeveria e bashkisë së Durrësit”-tha ndër të tjera Xhaferaj.

Blendi Klosi tha se hotelet nuk kanë pësuar gjë, dy tre hotele që janë dëmtuar.
“Durrësi nuk ka vdekur, është dëmtuar.

Ka marrë një goditje dhe është një goditje e vërtetë. Kemi nevoje për PR.

Kompanitë janë shumë strikte në këtë situatë, kërkojnë certifikim zyrtar që hoteli nuk është i dëmtuar. Ne do ia dalim”, tha Klosi. /albeu.com/


Shtuar 15.01.2020 22:02