Ali Ahmeti mbyll vizitën në Paris
Kreu i BDI-së Ali Ahmeti mbylli turin diplomatik në Paris. Ahmeti në takimet me autoritet franceze ka kërkuar përfshirjen aktive të Parisit zyrtar në procesin e zgjidhjes së çështjes së emrit me qëllim që t’i jepet fund problemit dy dekadësh që mban peng perspektivën euro-atlantike të vendit.

Paris kreu i integristëve është pritur nga zyrtarë të lartë të Presidencës franceze, ministrisë së jashtme, ministrisë së mbrojtjes si dhe përfaqësuesit e Francës në institucionet e Bashkimit Europian.

"Me të gjithë këto persona është diskutuar rreth çështjes së integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE ku kryetari Ahmeti ka kërkuar angazhimin e drejtpërdrejtë të Francës në lehtësimin e zgjidhjes së çështjes së emrit me fqinjin tonë jugor, Greqinë. Franca medoemos e përkrah integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE dhe do të jetë pjesë e përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar për të lehtësuar procesin e udhëhequr nga z. Nimic", tha Artan Grubi, shef i Kabinetit të kreut të BDI-së.

Sipas Grubit, sinjalet që vijnë nga zyrtarë të lartë të BE-së sigurojnë se Maqedonia për herë të pestë do të marrë rekomandimin për të çelur negociatat me Bashkimin Europian.

"Jemi të bindur që do të mbetet akoma rekomandimi për të fituar datën për fillimin e negociatave me BE-në, ndërsa për Samitin e dhjetorit kemi akoma punë për të bërë. Ne bashkërisht në Maqedoni duhet të arrijmë progres rreth zgjidhjes së çështjes së emrit dhe çështjeve të tjerëve që kërkon Brukseli në mënyrë që të lehtësojmë punën miqve tanë ndërkombëtar dhe të na japin datën për fillim të negociatave për anëtarësim në BE", vijoi Grubi.

Ahmeti gjithashtu në takimet me autoritetet franceze ka folur për nevojën e thellimit të bashkëpunimit bilateral ekonomik me ç’rast ka ftuar investitorët francez që të zhvillojnë bizneset e tyre në zonën e lire ekonomike të Tetovës si dhe ka garantuar sigurinë e investimeve franceze në Maqedoni.

Nesër, Ahmeti do të jetë në Hagë. /albeu.com/
Shtuar më 05/10/2013, ora 17:11
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori