Basha i kujton Berishës 21 Janarin, paralajmërimi i fortë që i jep (VIDEO)

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë fjalës së tij, i ka kujtuar Berishës skenarin e 21 janarit, ku u vranë katër protestues në bulevard.

Sipas Bashës, PD është gati të përballet me cdo situatë nëse Berisha do të hyj sërish brenda PD-së në të njëjtën mënyrë si sot.

Basha shtoi se ditën e sotme Berisha kopjoi skenarin e Tom Doshit në 21 janar, por sipas tij, përgjigja e PD-së nuk ishte e njëjtë me atë të Berishës.

“Skenari i sotëm ishte skenar provokimi, kopjoi skenarin e Tom Doshit në 21 Janar, por unë nuk iu përgjigja, sikur iu përgjigja Sali Berisha në 21 Janar. Ne do të ruajmë qetësinë, por do të kemi vendosmërinë totale për të mbrojtur interesin e demokratëve”.

Lulzim Basha siguroi demokratët për një gjë. “Nuk do të lejojmë asnjë horr, trafikant, asnjë hiç të vijë këtu për të marrë nëpërkëmbë dinjitetin e demokratëve, për këtë të jeni të sigurt.

Do të bëjmë me të gjitha ato virtyte që na karakterizojnë, ndërkohë që ata bënin si gorilla jashtë, ne vazhduam mbledhjen. Do ta bëjmë me vendosmëri pa u ngutur dhe ngutja e frikacakut i ka kushtuar kësaj partie” tha ai. Në 21 Janar 2011 Lulzim Basha ishte ministër i Brendshëm.

Kryedemokrati e pranoi edhe një herë dualizimin në vendimmarrje përpara se të përjashtonte Sali Berishën nga grupi i PD-së. “Pjesë e përgjegjësisë është që kam lejuar dualizëm, ka pasur, mbivendosje dhe protagonizëm të Sali Berishës, që “ky nuk iku dhe bëri sikur iku”. Ky dualizëm e ka dëmtuar PD-në” tha ai./albeu.com/