Akoma nuk ka akt-vendim për "Monstrën"
Pëlqej
Edhe pse kanë kaluar më shumë se një muaj qëkurse Gjykata e Shkallës së Parë Shkup 1 dënoi me burg të përjetshëm gjashtë të akuzuarit për rastin "Monstra", trupi gjykues ende nuk e ka nënshkruar zyrtarisht akt-vendimin.

"Jo akoma nuk e kemi marrë aktvendimin. Kanë mbet edhe 24 ditë, kur është dhe afati fundit ligjor për ta pranuar aktvendimin që më pas të mund të bëjmë ankimimin tek Gjykata e Apelit, ka thënë për “Lajm”, avokati i të akuzuarve, Naser Raufi.

Sipas Ligjit, Trupi Gjykues në afat prej 30 deri në 60 ditë në rastet e komplikuara duhet ta shkruajë aktvendimin dhe t’ia dorëzojë avokatëve, të cilët më pas në afat prej 15 ditëve të mund të bëjnë ankimimin në Gjykatën e Apelit.

Për rastin e shumëdebatuar "Monstra", gjykata, prokuroria dhe të gjitha institucionet shtetëroire që ndërlidhen me rastin kanë pritur afatin e fundit ligjor për të vazhduar punën.

Edhe në gjykim ka patur vonesa.

Të akuzuarit janë mbajtur në paraburgim për gjashtë muaj, derisa kanë dalë për herë të parë përpara trupit gjykues.

Halil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, më 30 qershor të këtij viti u dënuan me burg të përjetshëm nën akuzën se kanë kryer vrasjen e pesëfishtë që ndodhi më 12 prill të vitit 2012, afër liqenit të Smilkovcit.

Mbi ta rëndon vepra më e rëndë e parashikuar në Kushtetutë, "terrorizëm".

Duhet thënë se i akuzuari Rami Sejdiu, i cili u shpall i pafajshëm ka vuajtur dënim prej 2 vitesh, vetëm si rezultat i pritjes së seancave gjyqësore. /albeu.com/
Shtuar më 07/08/2014, ora 12:12
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori