Ahmeti takon ambasadorin e OSBE: Të vendoset dialogu politik mes partive
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka pritur në selinë e partisë në Tetovë Ambasadorin e OSBE në Maqedoni, Ralf Bret.

Ahmeti dhe Bret diskutuan rreth zhvillimeve aktuale politike në vend dhe rajon, marrëdhëniet ndëretnike, Kongresin tematik të Bashkimit Demokratik për Integrim si dhe integrimin EuroAtlantik të Maqedonisë.


Duke komentuar aferën e përgjimeve masive, Kryetari Ahmeti theksoi që kjo që ka ndodhur nuk është e mirë për vendin dhe që institucionet e vendit duhet të dëshmojnë kapacitete institucionale demokratike për tu përballuar me situatën.

"Vërtetësia e përgjimeve duhet të përcaktohet nga Gjykata, por njëkohësisht edhe duhet të vendoset dialogu politik midis partive politike në vend. Të dyja këto procese duhet të lehtësohen dhe mbikëqyren nga Brukseli zyrtar me pjesëmarrje aktive jo vetëm të Parlamentit Evropian, por edhe të Komisionit. BDI mirëpret takimet fillestare për tejkalim të krizës që po mbahen në Bruksel dhe konsideron që autoritetet Evropiane duhet që të paracaktojnë agjendën e bisedimeve. BDI është pjesë konstruktive e zgjidhjes së krizës duke vënë në vend të parë interesat e elektoratit, të qytetarëve dhe të vendit", thuhet në njoftimin për shty të BDI-së.

Gjatë takimit Ahmeti ka theksuar se vendi nuk guxon të devijon nga rruga Euro-Atlantike, por as të tensionohen marrëdhëniet ndëretnike dhe ndër-fqinjësore. Dështimi i integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE gjithashtu mund të cenojë marrëdhëniet midis dy komuniteteve shumicë. /albeu.com/
Shtuar më 15/04/2015, ora 15:17

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori