Ahmeti takon ambasadorin e Kinës në Maqedoni
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ditën e sotme ka pritur në selinë e BDI-së në Tetovë ambasadorin e Kinës në Maqedoni, Ven Zhenshun.

Ahmeti dhe ambasadori Zhenshun diskutuan për bashkëpunimin bilateral dhe angazhimet kineze për zhvillim, në veçanti në Maqedoninë veriperëndimore, si dhe për krizën politike në Maqedoni, thuhet në njoftimin e BDI-së.

Kryetari i BDI-së e njoftoi ambasadorin Zhenshun mbi hapat që BDI-ja i ka ndërmarrë për të nisur zgjidhjen e krizës dhe mirëpriti vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të pranuar iniciativën e BDI-së e cila mundësoi rikthimin e menjëhershëm të parlamentit.

Ahmeti dhe Zhenzhun gjithashtu diskutuan për projektet zhvillimore duke u fokusuar në ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër-Strugë, por u fol edhe për interesin kinez për të ndërtuar edhe rrugën Gostivar – Kërçovë dhe më këtë do kompletohej autostrada “Nënë Tereza” si pjesë e korridorit tetë.

Në fund Ahmeti e falënderoi kompanitë kineze për ndihmesën e dhënë gjatë vërshimeve në Tetovë si dhe përshëndeti gatishmërinë kineze për të ndërtuar një shkollë fillore në po këtë komunë, thuhet në fund të kumtesës./Albeu.com/
Shtuar më 19/05/2016, ora 12:00

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori