Ahmeti në Bruksel, diskutohet emri dhe integrimi
Pëlqej
Zgjidhja e kontestit të emrit dhe integrimi në BE dhe NATO kanë qenë temat kryesore që janë trajtuar në takimet që kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, ka zhvilluar Bruksel me Peter Feith, ish të deleguarin special i NATO-s gjatë vitit 2001, Komisionerin për Zgjerim të BE, z. Stefan Fule, këshilltarët politikë të Presidentit të BE Van Rompuy, Pedro Serano dhe Sharlot Samerlin, si dhe z. Jonas Jonson, Drejtor i Drejtorisë për Ballkanin Perendimor të Këshillit të BE-së.

Takimi me Feith u fokusua rreth situatës politike në vend dhe në rajon si dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura me fqinjët në mënyrë që të lehtësohet anëtarësimi i Maqedonisë në NATO dhe BE.

Në fjalën e mbajtur në Qendrën për Studimin e Politikave Evropiane, para diplomatëve të shumë vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, Ahmeti foli për perspektivat euroatlantike të Maqedonisë, nevojën për pajtim rajonal në Ballkanin Perëndimor, urgjencën e arritjes së kompromisit mbi çështjen e emrit si dhe për të rolin e komunitetit ndërkombëtar në Maqedoni dhe rajon.

Me zotin Fule, Ahmeti diskutoi mbi perspektivën evropiane të Maqedonisë, marrjen e datës për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian. Edhe në takimet e ndara me Z. Serano, Zonjën Samerlin, Z. Jonson dhe Z. Terkel u bisedua rreth ardhmërisë Evropiane të Maqedonisë. Kryetari Ahmeti theksoi nevojën për kyçje më aktive të institucioneve të Bashkimit Evropian, por edhe të vendeve anëtare, në procesin lehtësues të zgjidhjes së çështjes së emrit në mënyrë që të sigurohet e ardhmja e vendit.

Gjatë ditës së sotme Ahmeti do të zhvillojë takime në Këshillin e Bashkimit Evropian ku do të takohet me Drejtorin Menaxhues të Këshillit për Evropë dhe Azi, z. Luis Felipe Fernandez De La Pena, Drejtorin për Evropën Perendimore, Ballkanin Perendimor dhe Turqinë, z. Fernando Xhentilini, si dhe Deputetin në Parlamentin e Evropës nga partitë e djathta, z. Eduard Kukan.
Shtuar më 02/10/2013, ora 10:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori