Ahmeti: Ndryshimi i kufijve të Kosovës me efekt domino
Pëlqej
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në një intervistë për KosovaPress, thotë deklaratat e zyrtarëve të lartë serbë për ridizajnim të kufijve në Kosovë, shihen si të rrezikshme dhe me efekt domino për tërë Ballkanin Perëndimor.

Ai shtoi se këto gjëra duhet menduar mirë dhe me gjakftohtësi sepse nëse fillon ndryshimi i kufijve, atëherë do të ketë efekt domino edhe për vendet tjera.

Ahmeti, thotë se në këtë ide po kontribuon edhe Rusia, e cila nuk dëshiron që Ballkani Perëndimor të jetë pjesë e BE-së, aq më pak të jetë në NATO.

"Madje këtë e kanë thënë hapur zyrtarët e lartë rus, presidenti Vladimir Putin dhe Sergej Lavrov, se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO është provokacioni më klasik dhe më i keqi që mund t’i bëhet Rusisë", tha Ahmeti.

Kreu i BDI-së, vlerëson se bashkimi i vetëm i shqiptarëve mund të bëhet në Bashkimin Evropian, duke hequr kufijtë.

Lideri i shqiptarëve të Maqedonsë kërkon nga autoritetet serbe, autoritetet e Kosovës, por edhe autoritetet në Maqedoni dhe në Shqipëri që me gjakftohtësi t’i analizojnë rrethanat se cila është me produktive dhe më e dobishme për rajonin.

Ahmeti thekson se si shqiptarë kurrë më mirë nuk kanë qenë, porse a mund të bëhen më mirë, sigurisht që mund të bëhen më mirë dhe t’i përmbushin standardet e të bëhen pjesë e Evropës dhe t’i heqin kufijtë në mes vete, pasi nuk ka arsye të ketë kufij e të presësh tre orë në kufirin e Bllacës mes Kosovës e Maqedonisë.

Sipas tij, integrimi në BE është dobi për të gjithë, pasi që sipas Ahmetit, Bashkimi Evropian është vlerë që respekton diversitetet.

Në këtë intervistë, kreu i BDI-së ka folur edhe për gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni, duke thënë se janë më mirë se asnjëherë më parë, porse duhet ende për të arritur gjithë atë që duhet për të qenë të barabartë me maqedonasit në çdo aspekt.

Ai i quan fushatë elektorale zërat se shqiptarët janë keq në Maqedoni aktualisht, pavarësisht se ka ende punë për t’u bërë. Sipas tij, mund të thuhet për shqiptarët e Luginës së Preshevës që janë në situatë të keqe.

Ai ka folur edhe për proceset gjyqësore kundër shqiptarëve, duke thënë se kanë qenë të montuara dhe të pafaktuara.

Madje, kërkon nga shqiptarët që t’i dalin zot asaj që kanë fituar me luftë. Thotë se mos të presin që kryeministri aktual Zoran Zaev apo ish-kryeministri Nikolla Gruevski t’ua japin as gjuhën shqipe as vendin e punës.

Për çështjen me të përfolur në Maqedoni, futjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në të gjitha institucionet, Ahmeti thotë se kjo tashmë është çështje e kryer dhe pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, ai do të miratohet.

Për këtë, ai shton se u bën bashkë me partinë e Zoran Zaevit, për një qeveri reformatore ashtu siç e prisnin gjithë qytetarët e Maqedonisë.

Ahmeti beson fort se futja e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare nuk do të zgjojë reagim të qytetarëve maqedonas, e as nuk do të përsëritet skena e 27 prillit pas zgjedhjeve qendrore në Maqedoni, pasi ajo ishte gjendje kaotike dhe një akumulim i energjive të pakontrolluara.

Kreu i BDI-së, tha se ai personalisht, por edhe institucionet e Maqedonisë kanë raporte të mira edhe me Qeverinë e Kosovës dhe me atë të Shqipërisë. Madje, sipas tij, Maqedonia dhe Kosova kanë marrëveshje të nënshkruara më shumë se me çdo shtet tjetër në rajon.
Shtuar më 11/10/2017, ora 19:34
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori