100 ditët e Albin Kurtit në pushtet

Qeveria Kurti sot shënon 100 ditët e saj në pushtet, ndërsa gjysmën e këtyre ditëve i kaloi si Qeveri në detyrë. Qeveria Kurti e cila u votua më 3 shkurt u rrëzua pas 53 ditësh, me një mocion të mosbesimit që kishin iniciuar Lidhja Demokratike e Kosovës, e që ishte përkrahur edhe nga partitë opozitare. Për rrëzimin e Kurtit më 25 mars, kishin votuar 82 deputetë.

Analistët politikë kanë vlerësuar punën 100 ditësh të Qeverisë Kurti, ata kanë theksuar se Qeveria gjatë kësaj periudhe ishte e përkushtuar në luftën ndaj COVID-19.

Valmir Ismaili nga Demokracia Plus, ka thënë për Telegrafin se Qeveria Kurti që nga fillimi është karakterizuar me mosbesim ndërmjet partnerëve LVV-LDK.

“Është pak e vështirë që të jepet një vlerësim objektiv për 100 ditëshin e Qeverisë Kurti për dy arsye: e para, pothuajse se gjysma e këtyre 100 ditëve kanë qenë ditë të qeverisë në detyrë; dhe e dyta, energjia kryesore e kësaj qeverie është fokusuar në menaxhimin e situatës me COVID-19. Megjithatë, ajo çfarë mund të thuhet për këtë qeveri është karakterizimi me mosbesim që nga fillimi ndërmjet partnerëve kryesor në koalicion VV-LDK, gjë që edhe çoi në mocionin e mosbesimit nga Kuvendi i Kosovës”, u shpreh ai.

Ismaili ka përmendur edhe disa nga vendimet e Qeverisë Kurti në këto 100 ditë.

“Po ashtu, karakteristikë ka qenë edhe tendosja e marrëdhënieve me ShBA-të gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë. Sa i përket aspektit të qeverisjes, vlen të përmendet shkarkimi i bordeve të ndërmarrjeve publike, suksesi i të cilave u zbeh pasi që bordet e reja u politizuan në një masë të caktuar nga VV. Kthimi në pikën zero i procesit të përzgjedhjes së noterëve nga qeveria paraprake ka qenë një lëvizje tjetër nga kjo qeveri si dhe fillimi i procedurave për procesin e Vetingut. Anulimi i vendimeve të zonave ekonomike dhe i tenderit për autostradën Prishtinë-Gjilan janë disa nga vendimet tjera që do të mbahen mend nga kjo qeveri”, pohoi ai.

Për punën që ka bërë Qeveria gjatë këtyre 100 ditëve, ka folur edhe Visar Xhambazi nga Demokracia për Zhvillimi ( D4D).

“Në fakt Albin Kurti nuk duhet të vlerësohet për 100 ditët, por vetëm për 50 ditët e tij. Në aspektin e brendshëm, Qeveria Kurti reduktoi dukshëm numrin e ministrave dhe zëvendësministrave në Republikën e Kosovës dhe përmbysi vendimin e ish kryeministrit Haradinaj për dyfishim të pagës. Javët e para u karakterizuan me shkarkime dhe depolitzim të institucioneve”, tha ai për Telegrafin.

Tutje ai tha se “Qeveria Kurti menaxhoi në mënyrë të suksesshëm situatën e krijuar nga pandemia COVID-19, me gjithë kapacitetet e limituara të institucioneve të vendit”.

Mirëpo sipas Xhambazit, Qeveria Kurti nuk ka treguar sukses në aspektin e jashtëm.

“Tema e pezullimit të tarifave doganore ndaj Serbisë dhe vendosja e reciprocitetit shkaktoi deteriorim të raporteve Kosovë-SHBA, diçka e paparë në Kosovë që nga përfundimi i luftës në vendin tonë. Kryeministri Kurti më shumë u fokusua në balancimin e fuqisë politike të presidentit Thaçi, pra zgjodhi një strategji defansive duke iu dërguar letra personale presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe sekretarit Mike Pompeo. Më e rëndësishmja, Qeveria Kurti nuk ofroi ndonjë alternativë të re se si të tejkalohet bllokimi i negociatave Kosovë-Serbi”.

Në anën tjetër, analisti politik, Blerim Vlera tha se Qeveria Kurti është përballur me sfida në aspektin e jashtëm dhe të brendshëm.

“Në aspektin e brendshëm, si rrjedhojë e mosbesimit mes partnerëve qeverisës dhe presionit të vazhdueshëm opozitar në Kuvend lidhur me gjoja prishej e raporteve me SHBA-të. Qeveria LVV-LDK, nuk arriti të imponojë agjendën e saj legjislative në Kuvend, kështu që, ajo u rrëzua me votimin e suksesshëm të mocionit të mosbesimit të Qeverisë, gjë që kufizoj në masë të madhe aftësinë e saj të realizoj prioritetet e saj programore që lidheshin ngushtë me miratimin e ligjeve të reja”, u shpreh ai.

Kurse, në aspektin e jashtëm Vela thotë se “Qeveria LVV-LDK u ballafaqua menjëherë me presionin amerikan për heqjen e pengesave për rifillimin e negociatave me Serbinë dhe në arritjen e shpejtë të marrëveshjes përfundimtare me të”.

“Qeveria zëvendësoi tarifën ndaj produkteve serbe me vendosjen e pjesshme të reciprocitetit. Po ashtu, Qeveria u ballafaqua me krizën e paprecedent të shëndetit publik të lidhur me pandeminë COVID-19”, tha ai.

Ndër tjera, Vela thotë se “duke qenë se hapësira e veprimit të Qeverisë në realizimin e programit të saj ishin të kufizuara nga rrënja e saj dhe ndalesa e komunikimin me Kuvendin, Qeveria në detyrë u fokusua në dy drejtime ku ende kishte aftësi të merrte vendime”.

“E para, në menaxhimin e situatës së shëndetit publik dhe krijimin e pakos ekonomike emergjente të lidhur me COVID-19. Duke marrë parasysh, kapacitete e kufizuara të trashëguara në sistemin shëndetësor, deri më tani, Qeveria në detyrë ka arritur të menaxhoj mirë situatën lidhur me rreziqet që i kanosen shëndetit publik nga coronavirusi.

E dyta, Qeveria në detyrë gjithë fokusin e saj politik pas votimit të mocionit të mosbesimit e vendosi te shkarkimi i bordeve të ndërmarrjeve publike dhe menaxhmenti i tyre. Duket se veprimet e ndërmarra në këtë drejtim ishin porosi e qartë jo vetëm për kundërshtarët politik të LVV-së, por edhe për publikun se kjo Qeveri është e vendosur me ndalimin e keqpërdorimeve të këtyre institucioneve, si rrjedhojë e ndikimit të partive politike ndër vite”, pohoi analisti Vela.

Analisti shtoi më tej, se këto veprime do t’i shërbenin LVV-së si dëshmi të luftës së saj kundër korrupsionit dhe nepotizmit në beteja të radhës elektorale me kundërshtarët e saj politik.

Në fund, Vela tha se skena politike duket më e përçarë dhe politizuar më shumë se kurrë, që sipas tij ka rezultuar me krijimin e dy poleve politike.

“LVV në njërën anë dhe partitë tjera në anën tjetër. Pasojë e krizës politikë është paralizimi i komunikimit mes institucioneve në relacion qeveri-kuvend apo qeveri-presidencë. Ky ambient politik e vështirëson tejkalimin e krizës momentale politike dhe kufizon në masë të konsiderueshëm aftësinë e institucioneve që të merren me pasojat ekonomike të pandemisë COVID-19”, theksoi ai.

Kujtojmë se sipas marrëveshjes që kishin arritur Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, LVV kishte pozitën e kryeministrit dhe gjashtë ministri dhe zëvendëskryeministrin e dytë, ndërkaq LDK kishte pozitën e kryetarit të Kuvendit, zëvendëskryeministrin e parë dhe gjashtë ministri. Por, kjo marrëveshje mes LVV-së dhe LDK-së u prish gjatë muajit mars./Telegrafi/


Shtuar 12.05.2020 12:49