Abedin Zymberi braktis DR-në
Abedin Zymberi ka braktisur postin e nënkryetarit të Demokracisë së Re, por nuk ka se ku të dorëzojë dorëheqjen pasi selisë së partisë i është vënë çelësi, njofton Alsat-M. Zymberi tha se ndihet i zhgënjyer nga Selmani, i cili pas dështimit në zgjedhjet e 5 qershorit ka reflektuar një sjellje të pahijshme ndaj të gjitha strukturave partiake.

Sipas tij, Selmani thjesht ka mbyllur zyrat dhe nuk përgjigjet në telefon. I revoltuar, Zymberi thotë se akti i dorëheqjes së kryetarit të DR-së Selmani dëshmon se kjo parti paska qenë pronë e dikujt dhe gjithë mundi i anëtarëve ka shkuar kot vetëm për përfitim të disa individëve.

“Çdo moment pres që të hapet zyra dhe të paraqesë dorëheqjen time sepse nuk dua të komprometohem me figura të cilat kanë vetëm interesin personal e aspak interesin shoqëror për të cilin kemi punuar ne për ata. Me këtë injorim ai realisht na ka nervozuar të gjithë strukturën e DR-së, konkretisht mua si nënkryetar partie. Unë edhe dje shkova në selinë e partisë, desha të takoj dikë. Atje pash dyert e mbyllura dhe deri në këtë moment edhe kryetari nuk është paraqitur në telefon, dhe kjo dëshmon se në këtë parti nuk ka më bukë. Fatkeqësia më e madhe është se paraqiti dorëheqjen pa u konsultuar as me strukturën dhe as me kërkon. Dha dorëheqje kokë në veti ç’ka tregon qartë se kjo parti paska qenë vetëm pronë e dikujt por jo edhe parti shoqërore ku marrin pjesë të gjithë dhe që e kemi ndërtua të gjithë”, tha Abedin Zymberi, nënkryetar i DR-së.

Për angazhimin e tij të mëtejshëm politik, Zymberi thotë se për momentin do të pushojë ndaj çfarëdo aktiviteti politik.


Përveç Zymberit, mësohet se brenda Demokracisë së Re ka edhe emra të tjerë që planifikojnë dorëheqjen, por që për momentin nuk guxojnë të dalin hapur. Pak ditë më parë, vetë Kryetari i Demokracisë së Re Imer Selmani dha dorëheqje pas dështimit në zgjedhjet e 5 qershorit. Partia e tij përjetoi një humbje të thellë në këto zgjedhje, duke mos arritur të sigurojë asnjë mandat deputeti. Selmani në deklaratën e tij ka theksuar se tërhiqej për shkaqe morale nga të gjitha funksionet politike ne Demokracinë e Re. /albeu.com/
Shtuar më 11/06/2011, ora 09:04
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori