A do të përfshijë Qeveria rekomandimet e OSBE/ODIHR?
Nga fundi i shtatorit do të bëhet e ditur se cilat rekomandime të OSBE/ODIHR janë pranuar në plotësim ndryshimin e Kodit Zgjedhor.

Plotësim ndryshimet që u miratuan në Parlament në fund të vitit të kaluar përplasën pushtetin dhe opozitën.

Kështu opozita pohon se shteti vihet në funksion të partisë në pushtet, kurse pushteti vlerëson se me kërkesat e opozitës do të pengohet funksionimi i shtetit gjatë kohës së zgjedhjeve. Për pastrimin e listës zgjedhore do të kyçet edhe një ekspert ndërkombëtar i cili do të punojë me institucionet e vendit.

Selim Ademi kryetar i grupit punues në Ministrinë e Drejtësisë bën të ditur se diku kah fundi i shtatorit do të dalin me draft version ku do të shihet se cilat sugjerime dhe rekomandime të OSBE/ODIHR janë pranuar e cilat jo. Ai tha se grupi punues i mori në shqyrtim rekomandimet e OSBE/ODIHR-së.

“Pas zgjedhjeve lokale grupi punues vazhdoi me punë për shqyrtimin e rekomandimeve tjera të cilat nuk u përfshinë në pjesën e parë të ndryshimeve iu dha përparësi vetëm me pjesën e zgjedhjeve lokale, ndërsa pas zgjedhjeve lokale grupi punues shqyrtoi dhe debatoi rekomandimet tjera në Kodin zgjedhor. Në shtator do të diskutohet edhe për sugjerimet më të reja të OSBE/ODIHR-së. Për momentin grupi punues është në zgjidhjen e çështjeve por ende nuk kemi draft version që të themi se këto janë të kalueshme ose jo. Me draft version do të dalim kah fundi i shtatorit. I njëjti do t’iu dorëzohet partive politike që të debatojnë dhe të gjejnë konsensus”, deklaroi kryetari i grupit punues për Kodin zgjedhor në Ministrinë e Drejtësisë, Selim Ademi.

Subhi Jakupi nënkryetar i Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) është optimist se rekomandimet e OSBE/ODIHR do të shqyrtohen nga grupi punues.

Ai thotë se me sugjerim të këtij institucioni evropian për pastrimin e listës zgjedhore do të kyçet edhe një ekspert ndërkombëtar I cili pikërisht për këtë çështje do të punojë me institucionet vendore, shkruan Zhurnal Plus.

“Sa i përket pastrimit të listës zgjedhore kah mesi i shtatorit vjen një ekspert ndërkombëtar i cili do të bëjë hulumtimin e pastrimit të listës zgjedhore. Ne jemi duke vazhduar me pastrimin e listës zgjedhore me atë kontinuitet që e kemi pasur edhe më herët dhe përsëri do të vazhdojmë si grup punues. Ekspertin e huaj e kemi pranuar me propozim të OSBE/ODIHR-së”, deklaroi nënkryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi. /albeu.com/
Shtuar më 06/08/2013, ora 18:56
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori