Dick Marty: Duan të më likuidojnë për t’ jau vënë fajin kosovarëve

Ish-senatori zvicerian, Dick Marty është shfaqur sërish në publik me një intervistë për një radio zvicerane.

Kjo si shkak i raportimeve të fundit ku thuhet se ai po ruhet nga policia shkaku i planit për atentat ndaj tij nga shërbimi sekret serb për t’ia lënë fajin kosovarëve.

Ish-raportuesi në Këshillin e Evropës, Dick Marty, raporti i të cilit u bë shkas për themelimin e Gjykatës Speciale tha se e gjithë urrejtja ndaj tij ishte e orkestruar nga shërbimi sekret serb.

“Për disa arsye, shtypi shqiptar filloi të më targetojë mua si dhe janë adresuar fjalë të urrejtjes edhe në parlament, pavarësisht se unë s’kam pasur asgjë të bëjë me arrestimin e presidentit Hashim Thaçi. Megjithatë, më vonë u zbulua se ishte një operacion i orkestruar nga elemente të grupeve ekstremiste serbe brenda shërbimit sekret që donin t’ia linin fajin Kosovës për atentatin ndaj meje”, tha Marty për radion zvicerane RSI.

Ai foli gjithashtu edhe për presionin sipas tij ndaj familjes së tij, duke thënë se ka vendosur të flas që ta demaskoj orkestrimin kriminal.

“Unë fola tani vetëm sepse kisha respekt, ndoshta shumë, ndaj autoritetit gjyqësor federal, presioni mbi familjen time dhe veçanërisht mbi nipërit e mi ishte i tepërt, me këtë gjest dua të demaskoj edhe dizajnin kriminal që përndryshe do të kishte gëzuar heshtjen, aftësinë për të lëvizur në hije dhe për të krijuar habi. Nuk duhet të kemi frikë nga zhurma e të këqijve, por nga heshtja e të ndershmëve”, tha Marty.

Ai tha se janë arsyet politike që kërcënimi ndaj tij akoma nuk është neutralizuar.

“Këshilli Federal ka ndërhyrë dy herë në çështjen time; mungesa e një strategjie për të neutralizuar kërcënimin ndaj meje është për arsye politike, të konsideruara më të rëndësishme se sundimi i ligjit. Berni zyrtar nuk dëshiron të ketë probleme me askënd, por në realitet ka qenë gjithmonë pak i tillë. Më vjen keq që asnjë nga politikanët përgjegjës për këto vendime nuk deshi të më jepte një shpjegim”, nënvizoi Marty.

“Mise au Point” ka nxjerr një hulumtim për Dick Martyn, ku zbulohet që ish-prokurori i njohur zviceran, është nën rrezikun e një plani për t’u vrarë nga inteligjenca serbe dhe e gjitha kjo t’i vishet kosovarëve, me të vetmin qëllim, diskreditimin e Kosovës.

Për pasojë, sipas televizionit publik zviceran, ka 16 muaj që ish-raportuesi në Këshillin e Evropës, Dick Marty, është duke u mbrojtur nga forcat zvicerane, pasi që ka marrë kërcënime nga elementë radikalë të shërbimit inteligjent serb.

E përditshmja zvicerane Tagesanzeiger, ka raportuar se Këshilli Federal ka mobilizuar edhe ushtarët elitë për të mbrojtur Dick Martyn, pasi që rreziku për jetën e tij është shumë i madh.

Marty, në Ballkan njihet më së miri, për hetimin e krimeve të luftës në Kosovë. Tani, ai është nën mbrojtje 24-orëshe nga forcat ushtarake zvicerane.

Vetë Marty ka folur për këtë situatë.

“Kërcënimi me sa duket vjen nga qarqe të caktuara të shërbimeve të inteligjencës serbe, të cilët i kërkuan botës së krimit, vrasësve profesionistë, të më likuidojnë thjesht për t’ua vënë fajin kosovarëve. Sa për vrasësit, ata do të ishin pjesë e botës së krimit. Ka veteranë që specializohen në vrasje me urdhër, vrasje të porositura dhe kështu që nuk duhen shumë para për të vrarë dikë”, ka theksuar ai.

/Gazeta Express