I zhvati 135 mijë euro pronares së hotelit në Tirana, gjykata jep vendimin për të riun nga Kosova

Gjykata e Tiranës ka lënë në burg të riun nga Kosova Qerim Krasniqi, i akuzuar për mashtrim, pasi i ka marrë një shumë prej afro 135 mijë eurosh, një gruaje nga Tirana.

Mësohet se Krasniqi është shprehur në Gjykatë se ai nuk e ka mashtruar gruan nga Tirana, dhe se ajo ia ka dhënë vetë paratë.

‘Nuk e kam mashtruar, mi dha vetë, do ja ktheja’, është shprehur Krasniqi.

Në dosjen e prokurorisë që ka siguruar Fax News, thuhet se shtetasja Mariana Çakuli, e cila ka shitur një banesë në Bulevardin Zogu i Parë në Tiranë, të cilën e ka shitur në vlerën e 170 mijë eurove.

Më pas ajo ka përshtatur një banesë në minihotel, ku dhe është takyar me shtetasin nga Kosova, Qerim Krasniqi, 30 vjeç, i cili ka qendruar për një kohë të gjatë aty, dhe janë miqësuar me njëri tjetrin.

Denoncuesja Cakuli deklaron se të riun nga Kosova e ka marrë dhe në banesën e saj, për shkak të infektimit me Covid, ku dhe është kujdesur për të. Në muajin Gusht të vitit të kaluar, Krasniqi i ka kërkuar asaj një borxh prej 50 mijë eurosh, me justifikimin se i kishin bllokuar llogarinë në Zvicër.

Këtë shumë Cakuli ia kishte dhënë, dhe më pas Krasniqi i kishte kërkuar shuma të tjera më të vogla, duke e çuar shifrën e borxhit në 135 mijë euro.

Pasi ka parë që shuma e borxhit të dhënë ishte e konsiderueshme, Cakuli ka kërkuar kthimin e parave, gjë e cila nuk ka ndodhur nga Krasniqi. Ky i fundit në muajin Dhjetor ka ndërprerë çfarëdolloj komunikimi  me gruan nga Tirana, e cila dhe më pas ka bërë denoncimin.

Gjatë ndalimit 3 ditë më parë në kufi, Krasniqi është shprehur se paratë që ka marrë nga Mariana i ka investuar në bursë, FOREX, përmes një shtetasi nga Maqedonia e Veriut. Sipas tij, paratë që kishte marrë nga Mariana Cakuli, ia kishte dhënë këtij personi, i cili po ashtu ishte zhdukur.

I gjendur në këto kushte, vetë Krasniqi ka shkëputur marrëdhënien me Marianën, e cila i ka kërkuar kthimin e menjëhershëm të të paktën 50 mijë eurove, pasi në të kundërt do ta denonconte siç edhe ndodhi.