​Masakra e 20 shqiptarëve me urdhër të Oliver Ivanoviçit, flasin dëshmitarët
Gjashtë plumbat që u shkrepën për vdekje në gjoksin e Oliver Ivanoviqit nuk është fundi që do të donin për të familjarët e viktimave të rrugës së Kovaçëve në Mitrovicë.

Ajo masakër supozohet të jetë kryer me urdhër të ish-deputetit serb të Kuvendit të Kosovës, në prill të vitit 1999
Isa Mustafën e njohin pothuajse të gjithë në Mitrovicë.

Ish-referi i futbollit u bë dëshmitar i gjallë i një masakre që paramilitarët serbë e kryen ndaj popullatës civile shqiptare në Mitrovicë.

Duke e njohur personin që ua jepte urdhrat paramilitarëve, të cilët më 14 prill 1999 vranë 20 burra shqiptarë në Rrugën e Kovaçëve, Mustafa i porositi të gjithë ata që ndodheshin të rreshtuar para murit të ekzekutimit: “Nëse arrin të shpëtojë dikush, dijeni që këtë punë e ka kry Oliver Ivanoviqi”.

Një refer futbolli i asaj kohe, për 19 vite me radhë pas lufte ka dëshmuar se e kishe identifikuar karateistin që komandonte paramilitarët serbë të maskuar, të cilët ekzekutuan një grup shqiptarësh.

Ai dëshmonte se e kishte dëgjuar zërin e Ivanoviqit të jetë përgjigjur kur paramilitaret e kanë pyetur “Shef, çfarë të bëjmë më ta?”.

“S’ke çka më pyet. Zbatojeni urdhëruat”, pretendohen të këtë qenë përgjigja e Ivanoviqit.

Urdhrat u zbatuan. 20 burrat e të rinj u vranë. Trupat e tyre u varrosen në një varrezë masive, në Veri, për tu gjetur tek pas përfundimit të luftës, të copëtuara.

Këtë dëshmi të Isa Mustafës, rreth 17 vite pasi ishte dhënë në UNMIK, menjëherë pas përfundimit të luftës, Gjykata Themelore e Mitrovicës e ka pranuar. Ajo u bë kyçe që kjo gjykatë në janar të vitit 2016 të shqiptonte 9 vite burgim për krime lufte ndaj politikani serb që pas lufte u bë i pranueshëm edhe për shqiptarët në Kosovë. Ani pse, i njëjti rast u kthye në rigjykim.

Të premten, Isa Mustafa ishte i ulur në një kolltuk në ballkonin e shtëpisë së tij njëkatësh në njërën nga rrugicat pranë rrugës se Kovaçëve. Duke thithur cigaren pandërprerë, thotë me qetësi se nuk preferon të flasë në këtë moment për vrasjen e Ivanoviqit.

I bindur se shqiptarët nuk kanë dorë në krimin e së martës në mëngjes, ky i mbijetuar i masakrës që ndodhi 19 vite më parë në lagjen ku banon ende, nuk mendon se vrasja nuk është fund i drejtë për një kriminel lufte.

“Askush nuk mund të thotë se jemi të kënaqur. Është dashtë që me u dënu sa ka qenë i gjallë, me burg të përjetshëm. Ka pas shumë gjëra që kanë mujtë me u zbulu sa ka qenë i gjallë”, thotë ai.

Isa Mustafa, sot më nuk ishte i gatshëm të thotë më shumë.

Ashtu sikurse në UNMIK, e më vonë edhe në Gjykatë, Isa Mustafa kishte rrëfyer gjithë ngjarjen e prillit që kishte ndodhur në Mitrovicë, në një nga dokumentarët e Zona Express për Oliver Ivanoviqin.

Në të njëjtën masakër kishte humbur të dy djemtë, dhëndrin dhe burrin e motrës, edhe Fatime Pllana, dëshmitarja tjetër në dokumentarin "Oliveri i tmerrshëm, Oliveri i mirë" (Shkurt 2016).

Katër ditë pas krimit që ndodhi në veri, Fatimja më të hapur derën e banesës nga e cila para 19 vitesh i dolën të gjallë për herë të fundit dy djemtë, që s’ju kthyen më kurrë, shpreh mllef e vuajte nga ajo që përjetoi si pasojë e urdhrave që supozohet t’i ketë dhënë Oliveri.

“Dy fjalë. Është vra një kriminel”, thotë e moshuara. Zëri i saj shterur, e frymëmarrja i vështirësohet gjatë kohës sa ajo fillon vetë të kujtojë ditën e 14 prillit 1999.

Tregon se e vuan shumë se pse nuk u shkoi pas dy djemve të saj, në ditën kur ushtria paramilitare serbe i rreshtonte pranë një muri në lagje, para se t’i vriste.

Oliver Ivanoviq u vra më gjashtë plumba, të martën në mëngjes, derisa po shkonte me këmbë në zyrën e partisë së tij SDP në veri të Mitrovicës.

Ivanoviq, menjëherë pas lufte u bë politikani serb më i pranueshëm nga shqiptarët e Kosovës. Me vite të tëra, serbi i lindur në Deçan, habiste shqiptarët dhe serbët në të njëjtën kohë, deri kur ndaj tij, EULEX ngriti aktakuzën për krime lufte dhe vrasjen e 49 shqiptarëve, përfshirë 20 viktimat e lagjes së Kovaçëve.

Autoritetet kosovare ende nuk kanë ndonjë të dyshuar për vrasjen e ish-deputetit dhe ish-anëtarit të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, për disa legjislatura pas lufte.

“Nëse munden Hashim Thaçi e Ivica Dacic me u taku mes vete, pse mos me mujtë me u taku edhe na që jetojmë këtu”, është një deklaratat që politikani serb e kishte dhënë, gjatë 14 viteve sa nuk ishte zbuluar ende se ai ishte pjesë e formacionit paramilitar serb “Rojat e Urës” që supozohet se vranë dhe dëbuan qindra shqiptarë në Mitrovicë, gjatë luftës. /Gazeta Express/
Shtuar më 19/01/2018, ora 17:45

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori