5 muaj burg për djegësin e flamurit
Gjykata Themelore e Strugës ka dënuar Mynir Ismailin me pesë muaj burg, për djegien e flamurit shtetëror të Maqedonisë, vepër e konsumuar më 23 janar të këtij viti përpara godinës së Komunës së Strugës, raporton gazeta Koha.

Mynir Ismaili pas këtij verdikti të Gjykatës tha se vendimi është i padrejtë dhe tërësisht politik, sepse gjatë kësaj kohe janë bërë një sërë veprimesh kundër shqiptarëve, por askush nuk ka marr dënim për këto veprime.

"Maqedonia respekton ligjin vetëm kur janë në pyetje shqiptarët dhe për to gjithmonë ka hapur dyert e burgut. Unë këtë vendim normalisht do ta apeloj, sepse është kryekëput politik dhe i njëanshëm", u shpreh Mynir Ismaili, raporton korrespondenti i gazetes KOHA nga Struga.

47-vjeçari nga fshati Shum i Strugës u akuzua nga Prokuroria për nxitje të urrejtjes ndërkombëtare, ndërfetare dhe fyerje kundër simboleve kombëtare të Maqedonisë.

Mynir Ismaili para shumë vitesh ka qenë i burgosur në Idrizovë, si pasojë e politikës së atëhershme represive kundër shqiptarëve nga Jugosllavia komuniste. /albeu.com/
Shtuar më 21/06/2012, ora 19:22

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori