Nikolla Gruevski pesë vite injoron Kosovën!
Nikolla Gruevski qe 7 vjet është kryeministër i Maqedonisë, por ai edhe sot e kësaj dite ende nuk e ka vizituar Kosovën, fqinjin e saj të parë. Nëse marrim parasysh se në shtator të vitit 2008 qeveria e vendit ka njohur mëvetësinë e Kosovës kur dhe ka vendosur marrëdhënie diplomatike me të, atëherë bëhen rrafsh 5 vjet që ai nuk ka realizuar ndonjë vizitë zyrtare atje. Kryeministri i Maqedonisë duhej të vizitonte Prishtinën zyrtare nëntorin e vitit të kaluar mirëpo vizita e tij u prolongua me arsyetimin për shkak të mospërputhjes së agjendës me kabinetin e kryeministrit të Kosovës. Vizitë zyrtare me homologun e tij nuk ka realizuar as edhe kryeministri kosovar Hashim Thaçi në Shkup! Tash kur nga nëntori i vitit të kaluar kanë kaluar plot gjashtë muaj ende s’ka ndonjë datë konkrete se kur kryeministri i Maqedonisë do ta bëjë “sefte” në Kosovë.

Shtrohet dilema pse Gruevski të mos vizitojë Kosovën kur veç më dihet se Maqedonia dhe Kosova nuk kanë asnjë çështje të hapur apo kontest, ndërkaq që nga ana tjetër bashkëpunimi midis dy shteteve konsiderohet si i mirë. Vetëm ish presidenti Pacolli me protokoll shtetëror Vizita më e lartë e një zyrtari të Maqedonisë në Kosovë ka qenë ajo e kryetarit të Parlamentit të Maqedonisë, Trajko Veljanovski vitin e kaluar. Prishtinën zyrtare e kanë vizituar edhe ministrat e Punëve të Jashtme, Mbrojtjes, Ekonomisë, Shëndetësisë etj.

Ndërsa, nga ana tjetër ish presidenti i Kosovës Behgjet Pacolli pati vizituar Maqedoninë, dhe kjo ishte vizita e një niveli më të lartë shtetëror nga ana e Prishtinës zyrtare. Ai u prit me protokoll shtetëror nga ana e Presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov. Presidentja aktuale Atifete Jahjaga dhe kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi nuk e kanë vizituar Shkupin. Po ashtu nga Kosova Maqedoninë e kanë vizituar ministrat e Punëve të Brendshme, të Jashtme, Ekonomisë, Shëndetësisë, Arsimit dhe kështu me radhë. Vlen të theksohet se kryeministri i Kosovës në Maqedoni ka ardhur gjatë festave të mëdha kombëtare shqiptare. Ai bashkë me kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha morën në pjesë në manifestimet që u organizuan në Shkup, siç ishte rasti kushtuar 100 vjetorit të Kongresit të Manastirit në vitin 2008 dhe 100 vjetorit të shpalljes së shtetit shqiptar dhe Ditës së flamurit kombëtar në nëntor të vitit 2012. Mirëpo as numri një i ekzekutivit kosovar s’ka realizuar vizitë zyrtare në Maqedoni, ku do të pritej me protokoll shtetëror nga kryeministri Gruevski.

Në Qeverinë e Maqedonisë thonë se ende s’ka datë të caktuar se kur do të realizohet vizita e kryeministrit Gruevski në Kosovë, duke shtuar se kabinetet e dy kryeministrave punojnë në agjendë dhe se për këtë ka vullnet nga të dyja palët.

“Sa i përket vizitës së Gruevskit në Kosovë mund të them se punohet në harmonizimin e ndonjë termini të përbashkët që edhe kreu i Qeverisë të vizitojë Prishtinën zyrtare. Dhe, në atë moment që do të kemi datë do ta kumtojmë. Përndryshe, me Republikën e Kosovës kemi marrëdhënie të shkëlqyera diplomatike, kemi nënshkruar një sërë marrëveshjesh bilaterale ku disa janë ratifikuar dhe disa të tjera janë në procedurë të ratifikimit”, deklaroi për “Zhurnal plus”, zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Muhamet Hoxha.

Ai thekson mes tjerash se Maqedonia me Kosovën ka një rekord marrëveshjesh në krahasim me vendet tjera fqinje. Hoxha potencon se ky bashkëpunim i mirë është i shtrirë në të gjitha nivelet sikurse edhe në vizitat reciproke të zyrtarëve dhe funksionarëve të lartë nga Maqedonia por edhe nga ana e Kosovës. Lidhur me këtë çështje nuk arritëm të marrim qëndrimin e Qeverisë së Kosovës. Megjithatë, analistët politik fajësojnë kryeministrin Gruevski për nacionalizëm dhe albanofobi. Sipas tyre, kjo u dëshmua me rastin e manifestimit në Shkup për 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditës së Flamurit. Analistët theksojnë se kur kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi vjen në Shkup, Gruevski ikë nga Maqedonia, ndërsa këtë ia imponon edhe presidentit të shtetit Gjorge Ivanov. Vizioni i paqartë i Gruevskit dhe Qeverisë Analisti politik Alajdin Demiri thotë se kryeministri Gruevski erdhi në pushtet dhe është duke ushtruar pushtetin me një nacionalizëm të egër maqedonas, mirëpo ky nacionalizëm maqedonas e ka bazën në albanofobinë ose në urrejtjen e shqiptarëve.

Sipas tij, Gruevski në mijëra raste është dëshmuar se nuk është politikan, nuk është kryeministër i gjithë qytetarëve por sillet tjetër lloj kur janë në pyetje shqiptarët. Ata bëjnë të ditur se arsyet formale më nuk ekzistojnë, sepse të dy vendet janë njohur reciprokisht edhe pse është e qartë se kjo asnjëherë nuk ka qenë politikë e sinqertë e Maqedonisë.

“Kur ishte 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë një nga manifestimet u mbajt në Shkup dhe ai e tërhoqi presidentin dhe vet u largua në drejtim të panjohur, vetëm që të mos jenë pjesë e manifestimit ose festës mbarëshqiptare. Nga ana tjetër fakti që kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ministrat tjerë kosovarë vijnë shpesh në Shkup dhe ai nuk i pranon. Fakti që ai nuk njeh përveç formave deklarative që Kosova është fqinj tregon se albanofobia e tij është e madhe. E gjithë kjo ndodh për çudi në një situatë kur ai tash tenton që Ali Ahmetin si partner të koalicionit ta mbajë nën presion me aktualizim të Hagës kohë pas kohe atëherë kur atij i konvenon”, deklaroi për “Zhurnal plus” analisti politik Alajdin Demiri.

Ai më tej shton se e gjithë kjo tregon një vizion të paqartë të kësaj qeverie dhe këtij kryeministri herë ndaj Greqisë, herë ndaj Bullgarisë ndërsa kohëve të fundit në mënyrë më agresive edhe ndaj Kosovës. Por, analisti politik nga Kosova Fadil Lepaja thotë se Thaçi e ka vizituar Maqedoninë shumë herë pas luftës. Ai thotë se herë pas herë kanë arritur në media vizita dhe takime nëpër shtëpi hoteliere të dyshimta, dhe mediet në Maqedoni këtë e kanë lidhur me konspiracione panshqiptare e herë me interesa klandestine.

“Arsyet formale më nuk ekzistojnë, sepse të dy vendet janë njohur reciprokisht, edhe pse është e qartë se kjo asnjëherë nuk ka qenë politikë e sinqertë e Maqedonisë, por ishte rezultat i presioneve ndërkombëtare, interesave ekonomike por edhe presion i faktorit shqiptarë në vetë Maqedoninë. Po ashtu ekziston edhe marrëdhënia speciale e nacionalizmit maqedonas me Serbinë, ku shteti maqedonas e ka ndihmën e pakursyer të Serbisë kundër realizimit të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni, sepse Serbia së paku deri më tani nuk ka luftuar vetëm kundër Kosovës por kundër faktorit shqiptarë në Ballkan. Kur do që ka pasur lëvizje të faktorit shqiptar në Maqedoni, Serbia ka qenë e pranishme në anën maqedonase, qoftë me logjistikë qoftë me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë edhe në luftime (edhe pse nën uniformën maqedonase)”, deklaroi analisti politik nga Kosova, Fadil Lepaja.

Sipas tij, edhe koncepti maqedonas për ndarje të Maqedonisë është i ngjashëm me atë serb dhe kjo paraqet një dallim esencial konceptesh, të cilat bashkësia ndërkombëtare (BE, SHBA, NATO) nuk i përkrahë për arsye gjeopolitike. “Pra, derisa pyetja është në dukje veç formale, arsyet besoj të kenë qenë konjukturale, dhe krejtësisht joformale”, thekson mes tjerash analisti Lepaja. /albeu.com/
Shtuar më 17/05/2013, ora 10:22

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori