Zbulohet “Vrasësi i SIDA-s”
Pëlqej
Hulumtuesit mund të kenë gjetur më në fund një mënyrë për të eliminuar rezervuarët e virusit HIV që shpesh mbeten të fshehur në trup. Sipas shkencëtarëve, molekula e re sintetike SUW133 do të mund të zhdukë rezervuarët që mbartin virusin HIV, me metodën “godit dhe vrit”.

Ky zbulim ka rezultuar i sukseshëm pas testimit tek minjtë laboratorikë dhe do të duhet të eksperimentohet në kafshë më të mëdha, përpara se të trajtohet tek njeriu.

Shkencëtarët duket se kanë zbuluar funksionimin e një molekule të re të quajtur SUW133, e cila do të mund të eleminojë rezervuarët që mbartin trupin e virusit HIV.

E përditshmja shkencore, raporton se virusi përhapet duke marrë mbi vete një qelizë ADN-je dhe e përdor atë për të bërë kopje të vetes. Shumica e trajtimeve të SIDA-s janë krijuar për të bllokuar këtë cikël ripërsëritje dhe për të ndalur përhapjen e virusit.

Megjithatë barnat antiretrovirale, nuk e zhdukin dot trupin e virusit i cili fshihet në rezervuarë. Këto lloj trajtimesh të zhvilluara deri më sot, lejojnë pacientët të jetojnë më gjatë, por nëse trajtimi ndalet, virusi HIV shfaqet sërish.

Kura e re që zbuluesit shkencorë e kanë quajtur “goditje dhe vrasje”, synon të zhdukë rezervuarët me anë të molekulës SUW133, e cila zgjon virusin e fjetur që eliminohet me terapinë antiretrovirale.

Teknika e re u zhvillua nga zbuluesit e institutit UCLA, Stanford dhe Institutet Kombëtare të Shëndetit.

Shkencëtarët besojnë se me studime dhe eksperimente të mëtejshëme, teknika e ashtuquajtur “godit dhe vrit” mund të reduktojë mjaftueshëm rezervuarin viral për pacientët e infektuar, në mënyrë që të ndalin trajtimin antiretroviral.

Kur teknika e re u testua në minj të infektuar me HIV, të cilëve u ishin dhënë barna antiretrovirale, 25 për qind e qelizave virale vdiqën brenda 24 orëve pas riaktivizimit.

Gjithashtu, molekula do të duhet të eksperimentohet në kafshë më të mëdha para se të mund të testohet tek njeriu.
Shtuar më 10/10/2017, ora 23:24

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori