Jurgen Klopp “thur” elozhe për Bellingham: Jude është një lojtar i jashtëzakonshëm

Me performancat e tij, talenti i mesfushës angleze, Jude Bellingham po tregon gjithnjë e më shumë se është një element i vyer në botën e futbollit dhe e gjitha kjo vetëm në moshën 19-vjeçare.

Teksa ka përfunduar në “radarët” e shumë skuadrave elitare të Evropës (Real Madrid, Liverpool e PSG), Bellingham akoma nuk e ka gjetur “aventurën” e tij të re.

Megjithatë disa fjalë ditën e sotme për mesfushorin 19-vjeçar, i ka thënë dhe trajneri i Liverpool, Jurgen Klopp, i cili admiron pjekurinë e mesfushorit të Borussia Dortmund.

“Nuk më pëlqen të flas për para kur bëhet fjalë për një lojtar të tillë. Të gjithë mund ta shohin se ky është një lojtar i jashtëzakonshëm. Pyet dikë që nuk di asgjë për futbollin ose që nuk e ka parë për një kohë: “Sa vjeç mendoni se është Jude Bellingham?” Nuk mendoj se përgjigja e tij do të jetë afër së vërtetës. Mund të mendoni se është 28-29 vjeç, sepse tregon futboll kaq të pjekur.

Ai pati një Botëror të madh. Loja e tij ishte thjesht e jashtëzakonshme. Ajo që ai mund të bëjë është e vështirë për t’u mësuar, por ajo në të cilën ai mund të përmirësohet është e lehtë për t’u mësuar.

Pra, po, ai është një lojtar shumë i mirë. Çfarë mund të them tjetër? Unë e kam menduar këtë për dy ose tre vjet tani – pas përparimit të tij në Dortmund . Të gjithë e dinë tashmë për këtë, por nuk e kam idenë se çfarë do të thotë kjo për anën financiare të çështjes.

Mendoj se nëse të gjithë duam vërtet ta ndihmojmë, atëherë nuk duhet të flasim shumë për paratë. E kam fjalën për këtë nga këndvështrimi i skuadrës angleze . Mos vendosni pengesa në rrugën e zhvillimit të tij”,- tha tekniku i Liverpool .

Deri më tani, Jude ka shënuar 9 gola dhe ka asistuar 3 të tjerë në 22 paraqitje për Borussia Dortmund në të gjitha kompeticionet këtë sezon. Ai shënoi 1 gol dhe dha 1 asist në 5 ndeshje për Anglinë në Kupën e Botës 2022. /albeu.com


Shtuar 26.12.2022 15:58